Në Komunën e Gjilanit po vazhdojnë përmirësimet dhe investimet e shumta në fushën e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, sektorë që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, tha se këto fusha do të mbeten prioriteti kryesor i qeverisjes lokale, duke theksuar disa nga projektet që janë në zbatim dhe ato që pritet të realizohen.
“Projekti më i madh, banimi i përballueshëm social, do të jetë strehë për shumë familje. Po ashtu, do ta përfundojmë objektin e Qendrës së Qëndrimit Ditor për të Moshuar, në bashkëpunim me shoqatën Jetimat e Ballkanit,” u shpreh Hyseni.
Ai shtoi se komuna do të ndërtojë Qendrën e Mjekësisë Familjare me aneksin e Urgjencës, si dhe do të vazhdojë me pagesat për lindje të reja, ndihmat për familjet në nevojë dhe sigurimin e barnave falas.
“Shëndetësia dhe mirëqenia sociale do të jenë gjithmonë në qendër të vëmendjes sonë”, theksoi në fund kryetari Alban Hyseni.

