Kryetari Hyseni takon studentët që mbajtën praktikën me pagesë në institucionet komunale të Gjilanit

 

Mbi shtatëdhjetë studentë gjilanas kanë përfunduar me sukses praktikën tre mujore me pagesë në institucionet komunale të Gjilanit, duke fituar përvojë të vlefshme profesionale në fusha të ndryshme të administratës publike.

Me rastin e përmbylljes së programit, ata janë pritur nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i cili i ka përgëzuar për angazhimin dhe përkushtimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

“Ishte kënaqësi e veçantë t’i takoj disa prej tyre dhe të dëgjoj nga afër përvojat e tyre si pjesë e administratës komunale. Mbi 70 studentë të shkëlqyer e gjallëruan komunën përmes praktikës me pagesë që ndoqën në institucionin tonë”, tha kryetari Hyseni.

 Ai shtoi se të rinjtë e Gjilanit po dëshmojnë se janë të gatshëm për tregun e punës, me energji, ide dhe vizion të qartë për të ardhmen.

“Jam i bindur se kjo përvojë do të jetë një hap i rëndësishëm në rrugëtimin e tyre profesional. Ne jemi shumë krenarë për secilin prej tyre, për përkushtimin, seriozitetin dhe dëshirën për të kontribuuar në qytetin tonë”, u shpreh Hyseni.

Shpërndaj me të tjerët