KQZ: Vazhdon verifikimi i votave në Mitrovicë të Jugut
Edhe pse pati shumë zhurmë rreth numërimit të votave në Mitrovicë, KQZ ka bërë të ditur se në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicën e Jugut po vazhdon verifikimi i rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar komune.
Deri në orën 09:00 të së mërkurës janë verifikuar rezultatet e 75 nga gjithsej 105 vendvotime, dhe procesi pritet të përfundojë gjatë ditës.
Një ditë më parë është përmbyllur verifikimi i rezultateve në 17 komuna, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Gjilanin, Pejën e Gjakovën.
Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon rinumërimi i 41 vendvotimeve me kërkesë të PZAP-it, prej të cilave deri në orën 09:00 janë rinumëruar 10.
Rezultatet mund të ndiqen në faqen zyrtare të KQZ-së: resultslocal2025r2.kqz-ks.org

