Romani i ri i Sabile Keçmezi-Bashës vjen këtë të shtunë

 

Këtë të shtunë, në kuadër të “Vjeshtës letrare të Gjilanit”, do të promovohet romani më i ri i autores Sabile Keçmezi-Basha, me titull “45 LETRA PËR MARTINËN”, një biografi romanore kushtuar babait të saj.

Libri është botuar nga shtëpia botuese ROZAFA, e drejtuar nga shkrimtari gjilanas Ramadan Mehmeti, dhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes Departamentit të Kulturës dhe propozimit të Këshillit të Librit.

Në përurim pritet të flasin: botuesi Ramadan Mehmeti, prof. dr. Faik Shkodra, studiuesi Prend Buzhala, recensentja Donjetë Kryeziu, si dhe vetë autorja Sabile Keçmezi-Basha.

Veprimtaria do të moderohet nga Kaltrinë Berisha, ndërsa fragmente nga romani do të lexohen nga Linditë Ramushi Dushku dhe Vigjilent Kurti.

Organizatori, Ars Club “Beqir Musliu” në bashkëpunim me Bibliotekën e Qytetit të Gjilanit, fton krijuesit, lexuesit dhe të gjithë artdashësit e Anamoravës të marrin pjesë në këtë ngjarje letrare të rëndësishme.

 

Shpërndaj me të tjerët