Një mësues me përvojë mbi tre dekada ka pozuar pranë shenjës së rrugës me emërtimin “Mësuesit e Viteve ’90”, duke krijuar një imazh të fuqishëm që rikthen kujtimet e një epoke të dhembshme, por jashtëzakonisht të lavdishme për arsimtarët shqiptarë.
Fotoja mban një simbolikë të thellë, sepse mësuesi që tregon me gisht drejt shenjës i përket pikërisht asaj gjenerate që mbajti arsimin gjallë në kohët më të errëta të viteve ’90.
Gjatë atyre viteve, kur pushteti serb largoi nxënësit shqiptarë nga shkollat e tyre, “Mësuesit e Viteve ’90” u ngritën mbi rrethanat dhe ushtruan profesionin e shenjtë të mësimdhënies në kushte të jashtëzakonshme: në shtëpi private, bodrume, garazhe, me mjete të pakta, pa paga dhe pa siguri.
Ata punuan krejtësisht vullnetarisht, me përkushtim patriotik dhe me vetëm një qëllim, që fëmijët shqiptarë të mos mbeteshin pa arsim.
Por pavarësisht rolit historik që patën në ruajtjen e identitetit arsimor e kombëtar, kjo kategori edhe sot e kësaj dite mbetet e nënvlerësuar.
Asnjë qeveri deri më sot nuk ka miratuar një program të veçantë ose një zgjidhje të merituar që do të nderonte kontributin e këtyre arsimtarëve. Shumë prej tyre janë tashmë të pensionuar, por pensionet që marrin janë për keqardhje, të ulëta dhe pa asnjë reflektim të viteve të sakrificës së tyre të pashoqe.
Kjo gjendje, siç pohojnë vetë mësuesit e asaj kohe, është një padrejtësi që vazhdon prej dekadash.
Fotoja e publikuar së fundmi po shikohet si një thirrje e heshtur drejtuar institucioneve: t’i kthehet vëmendja kategorisë së mësuesve që ruajtën arsimin kur gjithçka rrezikohej, por sot ndihen të harruar.
“Mësuesit e Viteve ’90” nuk kërkojnë lëmoshë, kërkojnë vetëm vlerësimin që e meritojnë për kontributin që kanë dhënë për breza të tërë.

