Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) bën të ditur se të premten, më 2 janar, do të nis numërimi i mbi 27 mijë fletëvotimeve nga votimi përmes postës nga diaspora, të cilat janë tërhequr nga dy kutitë postare jashtë Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar se numërimi do të fillojë nga ora 10:00 në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Ai thekson se nga votimi me postë ishin regjistruar rreth 58 mijë shtetas, por ende nuk është përmbyllur procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare, dhe tërheqjet e fundit pritet të bëhen më 2 dhe 5 janar.
Sipas Elezit, deri tani janë tërhequr më shumë se 28,500 paketa me fletëvotime nga dy kutitë postare në Berlin dhe Bernë.
Pas verifikimit, 27,600 fletëvotime janë aprovuar, ndërsa më shumë se 950 janë refuzuar, kryesisht për shkak të mungesës së dëftesës së regjistrimit të votuesit.
Ai gjithashtu njoftoi se nga votimi në 29 përfaqësi diplomatike, nga 19,187 shtetas të regjistruar, kanë votuar 16,165 votues, që përbën 84.24% të pjesëmarrjes.

