Aktivistët e Malësisë së Bujanocit nesër në aksion për pastrimin e shkollës

 

As kushtet e vështira të motit, bora dhe temperaturat e ulëta, nuk i kanë ndalur aktivistët e Malësisë së Bujanocit që të vazhdojnë angazhimin e tyre vullnetar në shërbim të komunitetit.

Kësaj radhe, ata kanë paralajmëruar një aksion për pastrimin e objektit të shkollës së Zarbicës, si dhe hapësirave të bibliotekës.

Aksioni do të mbahet nesër, duke filluar nga ora 08:00, për shkak të nevojës për pastrim dhe mirëmbajtje të këtyre objekteve.

“Nesër, nga ora 08:00, së bashku me aktivistët e Malësisë, planifikojmë të realizojmë pastrimin e shkollës së Zarbicës dhe objektit të bibliotekës. Kushdo që ka mundësi të bashkëngjitet është i mirëseardhur, pasi ka nevojë edhe për përkrahje fizike”, thuhet në njoftimin e nismëtarëve të aksionit.

Organizatorët kanë falënderuar paraprakisht të gjithë ata që do të kontribuojnë, duke kërkuar njëkohësisht falje për njoftimin e vonshëm.

 

 

Shpërndaj me të tjerët