Policia në Gjilan shqipton 1,800 gjoba trafiku brenda një jave

 

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor dhe stacioneve policore, ka intensifikuar aktivitetet për sigurinë në trafik gjatë periudhës 02.01.2026 – 08.01.2026.

Në kuadër të zbatimit të planeve operative për rritjen e sigurisë rrugore, gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar gjithsej 1,800 gjoba trafiku.

Po ashtu, Policia ka ndërmarrë edhe këto veprime:

  • Hetim i 23 aksidenteve të trafikut me dëme materiale,
  • Hetim i 20 aksidenteve të trafikut me persona të lënduar,
  • Shqiptim i masës së ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike për 45 ngasës.

Me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në rrugë, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan apelon tek të gjithë ngasësit që të respektojnë dispozitat ligjore në trafik. Policia u bën thirrje qytetarëve që të ulin shpejtësinë, të mos përdorin telefonin gjatë vozitjes, të vendosin rripin e sigurimit, të kenë kujdes ndaj këmbësorëve dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe semaforët.

“Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët. Ndihmoni në uljen e aksidenteve dhe në ruajtjen e jetës”, thuhet në apelin e Policisë.

 

 

Shpërndaj me të tjerët