Nga Nexhemedin Sejdiu
Trashëgimia kulturore materiale e një vendi është dëshmia më e mirë e të kaluarës së tij historike.
Në Malësinë e Bujanocit, në Zarbicë, çdo ditë e më tepër po humbin gjurmët e fundit të së kaluarës sonë kulturo-historike.
Rrjedhimisht një gjë e tillë po i ndodh edhe ish mejtepit e, më vonë, shkollës së parë shqipe, të cilës dita ditës po i shemben edhe muret e fundit.
Në bazë të dëshmive të shkruara, një lloj shkolle (mejtepi) ka ekzistuar diku gjatë viteve 1900 apo 1901 në vendin tonë, me mësuesin e parë, hoxhën inovator Hasan Masurica, gjë që natyrshëm na bën të mendojmë se pikërisht në këtë ndërtesë duhet të jetë zhvilluar mësimi.
Ndërsa, me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht në vitin 1946, në Zarbicë është hapur Shkolla e parë shqipe tetëvjeçare me emrin e heroit tonë kombëtar “Skënderbeu”, me mësuesin e parë, pishtarin e arsimit shqip, Tahir Berisha.
Siç shihet, kjo ndërtesë nuk është vetëm një objekt, por brenda vetes ngërthen historinë, kulturën, arkitekturën, arsimin, trashëgiminë e mirëfilltë materiale e shumëçka tjetër.
Andaj, sa nuk janë mbuluar nga pluhuri i harresës muret e fundit të këtij tempulli të dijes, duhet që gjithsecili nga ne të marrë një nismë për rindërtimin e saj, derisa nuk është bërë tepër vonë.
Pikë së pari, barra bie mbi Komunën e Bujanocit e më pas edhe mbi çdo banor dashamirës të asaj ane.
Për nder të kujtimit të baballarëve tanë, të cilët janë ulur për herë të parë në bankat e asaj shkolle për të mësuar abetaren e gjuhës shqipe, nuk duhet lënë pa u rindërtuar edhe njëherë ajo shkollë.
Fundja, kjo ish-ndërtesë shkollore bart mbi vete një pjesë të rëndësishme identitare jo vetëm për Zarbicën, por edhe për mbarë Malësinë e Bujanocit.
(Autori, historian dhe njohës i trashëgimisë kulturore e kombëtare)
