Fatmir Saphiu – Bufi: Masakra e Reçakut është ngjarja që Serbia e lufton më së shumti
Aktori i njohur kosovar Fatmir Saphiu – Bufi ka kujtuar Masakrën e Reçakut, duke ngritur alarmin për përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për ta mohuar, relativizuar dhe rishkruar këtë krim të rëndë kundër popullit shqiptar në Kosovë.
Në një shkrim të publikuar në Facebook, Saphiu thekson se nuk ka masakër apo moment tragjik të historisë së Kosovës që është sulmuar më shumë nga Serbia sesa Masakra e Reçakut.
Sipas tij, të gjitha instrumentet që ka në dorë regjimi serb janë të orientuara masivisht kundër kësaj ngjarjeje tragjike.
Ai përmend përpjekjet e shërbimeve sekrete për të gjetur shqiptarë që do të kontribuonin në zhvlerësimin e masakrës, duke e paraqitur atë si të inskenuar, si dhe rolin superaktiv të industrisë kreative audiovizuale në Serbi, e cila prodhon materiale propagandistike për një “rilexim” të rremë të historisë.
“Për fat të keq, ne, duke qenë të zënë me gjëra më ‘madhore’, nuk i kemi kushtuar vëmendjen e duhur këtyre sulmeve në këtë fushë”, shkruan Saphiu, duke kritikuar qasjen sipërfaqësore të institucioneve dhe shoqërisë kosovare në ballafaqimin me propagandën serbe.
Ai thekson se nuk mjafton prodhimi i disa dokumentarëve të lirë dhe promovimi i tyre në televizione lokale, pasi realiteti global është krejt ndryshe.
Sipas tij, prodhimet propagandistike serbe janë teknikisht shumë të avancuara, vizualisht të fuqishme dhe të shpërndara gjerësisht në botë, duke ndikuar në opinionin ndërkombëtar, në hapësira ku Kosova ka shumë pak qasje.
Saphiu bën thirrje që secili qytetar, pavarësisht rolit që ka në shoqëri, të marrë përgjegjësi për ta treguar të vërtetën shqiptare jo mes veti, por jashtë Kosovës.
“Për fat të keq, shteti që do të duhej të kërkonte falje 700 herë, është aktiv dhe agresiv edhe atje ku ne nuk e shohim, ose edhe kur e shohim, themi: ‘Hajt, se film është’”, shkruan ai.
Në fund të reagimit, aktori i njohur thekson se rezistenca e popullit të Kosovës ka vlera universale, ndërsa mungesa e vetëdijes po e dëmton betejën për të vërtetën historike.
“Ta kujtojmë për jetë Masakrën e Reçakut!”, përfundon Saphiu, duke bërë thirrje për kujtesë, angazhim dhe rezistencë të vazhdueshme ndaj propagandës dhe falsifikimit të historisë.
