Përfundon me sukses një iniciativë me rëndësi të veçantë për mirëqenien dhe barazinë e nxënësve në SHFMU “Mulla Idris Gjilani” në Velekincë të Gjilanit.
Shkolla është pajisur me uniforma shkollore për të gjithë nxënësit, nga parashkollorët deri te klasat e nënta, duke krijuar një ambient më të rregullt, më të barabartë dhe më dinjitoz për të gjithë.
Uniforma shkollore nuk është modë, as ndëshkim e as simbol i ndonjë kohe të kaluar, por një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një klime të shëndoshë arsimore, ku të gjithë nxënësit ndihen të barabartë dhe të respektuar, pa dallime sociale apo ekonomike.
Drejtori i shkollës, Zaim Zymeri, ka theksuar se ky vendim synon të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e ambientit shkollor dhe në zhvillimin e shëndetshëm të nxënësve.
“Uniformat shkollore forcojnë ndjenjën e përkatësisë dhe identitetit shkollor, ndikojnë pozitivisht në disiplinë, barazi dhe përqendrim më të madh në procesin mësimor. Nxënësit tashmë paraqiten me një pamje të unifikuar, që reflekton respekt, bashkëpunim dhe përkushtim ndaj shkollës. Ky projekt është një investim i rëndësishëm në mirëqenien dhe edukimin e tyre”, ka deklaruar Zymeri.
Ai ka treguar gjithashtu se ideja për këtë iniciativë lindi nga një situatë prekëse, kur një nxënës me gjendje të rëndë ekonomike kishte veshur rroba të reja dhe mes bashkëmoshatarëve ishte dëgjuar një koment që e kishte lënduar:
“Shihe, shihe, edhe ky paska blerë rroba të reja.”
Kjo ngjarje, sipas drejtorit, ishte shtysa kryesore për të ndërmarrë këtë hap, me qëllim që asnjë fëmijë të mos ndihet i veçuar apo i paragjykuar për shkak të kushteve ekonomike.
Ky projekt po vlerësohet si një shembull pozitiv se si shkolla mund të luajë rol kyç në ndërtimin e barazisë, respektit dhe dinjitetit te nxënësit, duke krijuar një mjedis më të drejtë dhe më njerëzor për të gjithë.
