Një muaj para lirisë, një jetë në zinxhirë
Avdush Canaj nga Gjilani kishte më pak se një muaj për ta përfunduar shërbimin ushtarak të ish-Jugosllavisë, të cilin po e kryente në Mostar të Bosnje dhe Hercegovinës.
Ishte një ditë e zakonshme, me stërvitje të lodhshme, komandime të pafundme dhe heshtje të rënda.
Pas drekës, I rraskapitur, u shtri për të pushuar pak. Mendonte se do të mbyllte sytë vetëm për disa minuta.
Por gjumi nuk e gjeti kurrë. Dera u hap me vrull. Një dhjetar qëndronte serioz, pa emocione në fytyrë. Eja, po të thërrasin.
Avdushi u ngrit pa u shqetësuar shumë. Intervistat, pyetjet dhe provokimet kishin kohë që ishin bërë rutinë për ushtarët shqiptarë.
U vesh qetë, pa e ditur se po dilte nga dhoma për herë të fundit si njeri I lirë.
Në të hyrje të kazermës,tek shkallët, e pa automjetin e policisë ushtarake.
Pa asnjë sqarim, pa asnjë fjalë, e futën brenda automjeti me dritare të siguruar me shufra metalike. Mostari mbeti pas.
Rruga drejt ferrit kishte nisur.
“ Severni logor”, tri ditë pa kohë
Automjeti u ndal në një vend të quajtur “Severni logor”. Aty, për tri ditë rresht, Avdushi u përball me një realitet që nuk kishte as ditë, as natë. Kishte vetëm dhunë.
U rrah, u ofendua, u poshtërua. Torturat fizike dhe psikike ishin aq të ashpra, sa në një moment mendoi se vdekja mund të ishte shpëtim.
Nuk iu dha as e drejta të pyeste pse po ndodhte kjo. Heshtja ishte pjesë e dënimit.
Sarajeva dhe aktakuza absurde
Nga Mostari, Avdush Canaj u dërgua në burgun ushtarak të Sarajevës, ku u vendos në qelinë numër 12 për tetë muaj.
Atje iu ngrit një aktakuzë absurde: sipas saj, ai dhe disa shokë shqiptarë kishin planifikuar të vrisnin oficerë, të merrnin armë, tanke dhe aeroplanë, dhe të niseshin drejt Kosovës për ta çliruar. Një absurditet i pastër, një përrallë e paimagjinueshme.
Data e arrestimit ishte 13 mars 1983, një datë me peshë të dyfishtë, pasi rreth një dekadë më parë, UDB-ja i kishte vrarë të vëllain e madh, Alush Canajn.
Pavarësisht se Avdush Canaj nuk pranoi asnjë akuzë dhe asgjë nuk u vërtetua, gjyqi ushtarak e dënoi me 4 vite e gjashtë muaj burgim.
Avdushi ishte gazetar i Televizionit të Prishtinës që nga viti 1977 dhe kishte bërë emër edhe si poet.
Nuk është rastësi që iu ngritën këto akuza: plani serbo-sllav ishte të godiste inteligjencën shqiptare, duke synuar individë me reputacion profesional dhe intelektual, siç ishte Avdushi.
Ky rast mbetet një shembull i qartë i absurditetit të akuzave politike ndaj shqiptarëve në atë periudhë, ku talenti dhe angazhimi në kulturë dhe media shpesh përbënte rrezik për regjimin.
Foça, burgu që nuk falte
Pas vendimit, u dërgua në burgun famëkeq të Foçës.
Aty dhuna nuk pushoi. Përkundrazi, u bë më e rafinuar.
Provokime të përditshme, presion psikologjik, aktakuza të reja.
Një ankesë që Avdushi e bëri me shpresë se dënimi do t’I ulej ose do të lirohej, iu kthye në ndëshkim: edhe gjashtë muaj shtesë burg. Atëherë e kuptoi se rruga e vetme ishte qëndrimi. Dhe qëndroi.
Takimi me Alija Izetbegoviqin
Në Foçë, Avdushi u takua me Alija Izetbegoviqin, i cili edhe atëherë ishte i burgosur politik bashkë me intelektualë të tjerë boshnjakë. Flisnin gjatë për histori, libra, letërsi.
Një ditë, Izetbegoviqi i tha: Do të vijë një ditë kur këtu do të shpërthejë lufta.
Ne, boshnjakët do ta pësojmë rëndë, sepse nuk kemi kush na mbrojë. Ju, në Kosovë, do ta keni më lehtë, e keni Shqipërinë.
Fjalë që do të merrnin kuptim vite më vonë.
Nëna që nuk iu pa loti në sy
Pas dy muajve në Sarajevë, Avdushin e vizitoi nëna. Një nënë fisnike, e fortë, që nuk derdhi asnjë pikë lot.
Pyeti të birin vetëm për kushtet e jetës në qeli.
Edhe polici kujdestar mbeti i habitur nga qëndrimi i saj heroik.
Edhe pse nuk i kishte kaluar krejt rathët e ferrin, Avdushi i tha: Jam mirë, nënë. Mos u merakos!
Vizita e babait dhe ora që mbante poezinë brenda
Më vonë vjen vizita e babait, bashkë me një mik. Por pak para vizitës, Avdushi ishte rrahur rëndë. Nuk e lejuan të hynte në dhomën e takimeve. Mund t’i shihte vetëm nga një dritare e vogël.
Në një tjetër vizitë të babait të tij, Avdushi kishte orën në dorë. Nuk ishte e prishur. Por ai e paraqiti ashtu.
Brenda saj, në një fije duhani, kishte palosur mirë një poezi. Babë, ora më është prishur… a mundesh të ma rregullosh?- i tha.
Polici nuk kundërshtoi. Babai e kuptoi . E futi në xhep. S’ka problem. E rregullojmë. Ora u largua nga burgu. Poezia shpëtoi.
Poezitë e fshehura dhe libri cirilicë
Avdushi shkruante poezi fshehurazi, në faqet bosh të gazetave serbe. Një shok burgu nga Kroacia i dhuroi një roman shkruar në gjuhën serbe.
Ai e kuptoi menjëherë: librat në serbisht nuk kontrolloheshin me imtësi. Në shumë faqe të atij libri, fshehu poezitë e tij.
Kur u lirua, të gjithë librat u kontrolluan e u ndaluan. Ai libër jo.
Libri i Enver Hoxhës dhe presioni i eprorit
Një epror serb e detyroi Avdushin të përkthente librin “Shqipëria” të Enver Hoxhës, i përkthyer dhe botuar nga Tanjug, agjencia shtetërore jugosllave.
Ishte provokim politik dhe presion i hapur. Avdushi refuzoi fillimisht.
Me kërcënime, u detyrua të përkthente rreth 20 faqe. Kur ndaloi, dhuna u shtua. Por ai nuk u thye.
Lirimi dhe heshtja
Ditën e lirimit e izoluan. Nuk e lanë të përshëndetej me shokët.
Në dorë i dhanë një zarf dhe e urdhëruan ta dorëzonte në Gjilan.
Edhe atje u maltretua, madje nga inspektorët shqiptarë të sigurimit, që i shërbyen me devotshmëri Serbisë deri në fund .
Sot
Sot, Avdush Canaj jeton pranë librave dhe shkrimeve të tij. Pa zhurmë. Pa lavde.
Poezitë e tij nga burgu, që janë antologjike, pjesë e historisë dhe lirisë së Kosovës, i keni të botuara në librin “Edhe ëndrrat në pranga”.
Sepse mund ta burgosësh trupin, por shpirtin, fjalën dhe ëndrrat – kurrë.

