Shteti që u shpëtua nga diplomacia, sot rrezikohet nga papërgjegjësia

 

Nga Sejdi Sopi

Kosova, lirinë e fituar me ndihmën e fuqive perëndimore, të garantuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE-së dhe, të mbrojtur nga NATO, politikanët infantilë kosovarë dhe mediet mediokre me përfaqësues sharlatanë, për interesa meskine, po e kërcënojnë e sabotojnë shtetndërtimin dhe perspektivën fatlume të vendit.

Kosova, s’po arrin të ndërtojë një diplomaci mobile proaktive, si domosdo prioritare e ndërtimit të qëndrueshëm të shtetit.

Diplomacia, është hallka më e rëndësishme për sendërtimin e stabilitetit dhe sigurisë kombëtare në marrëdhëniet ndërkombëtare si subjekt i barabartë ligjor-juridik mes shtetesh.

Dy shembuj si analoge:

1. Më 1981, për ta evituar pushtimin ushtarak të ish Bashkimit Sovjetik të Polonisë, pas lëvizjes sindikaliste polake “Solidarnoshç”, gjeneralshtabi ushtarak polak, kreu grushtshetin ushtarak dhe e shpëtoi Poloninë nga pushtimi ushtarak sovjetik.

2. Më 1999, Serbia e Milosheviqit, në planin sekret “patkoi”, parashihte vrasjen në masë të shqiptarëve dhe përzënien e popullsisë shqiprare nga Kosova dhe të përmbyllte me gjenocid spastrimin etnik të Kosovës.

Zbulimi i planit “patkoi”, alarmoi fuqitë perëndimore dhe erdhi në shprehje kundërplani angloamerikan për ndërhyrje ushtarake të NATO-s, kundër Serbisë, duke ndalur gjenocidin dhe spastrimin etnik të Kosovës.

Këto dy ngjarje, i kanë shpëtuar më të keqes, falë funksionimit perfekt të diplomacisë preventive.

E me çka po merren politikanët kosovarë e tellallët e tyre që, e poshtërojnë përditë popullin dhe vendin???!!!!

(Autori është mërgimtar dhe veprimtar i kahershëm çështjes kombëtare)

 

Shpërndaj me të tjerët