Nga fëmijëria te fanella e Dritës
Luan Sllamniku – Lluki është një nga figurat më të rëndësishme të hendbollit gjilanas pas luftës, hendbollist, trajner, drejtor, kryetar dhe donator i KH Drita.
Dashuria për hendbollin e shoqëroi që në fëmijëri. Qysh 13-vjeçar, ai nisi stërvitjet e para nën drejtimin e strategut të njohur gjilanas, tashmë të ndjerë, Agim Shkodra.
Fillimisht luajti për juniorët e Dritës, ndërsa pas përfundimit të moshës së juniorëve kaloi në ekipin e parë.
Pozita e tij ishte pivot, ku njihej si lojtar korpulent, agresiv, i fortë në duele dhe tejet angazhues.
Hendbolli në vitet e vështira të ’90-ta
Në vitet ’90-ta, sporti në Kosovë zhvillohej paralelisht me sistemin e pushtuesit serb, i cili i kishte përjashtuar sportistët shqiptarë nga palestrat.
Edhe në këto rrethana të rënda, hendbolli mori hov dhe përveç KH Drita, u formua edhe klubi Rilindja.
Për dy vjet rresht, Lluki veshi edhe fanellën e këtij klubi jetëshkurtër, për t’u rikthyer më pas sërish te KH Drita, ku luajti deri në vitin 2005, duke kaluar me sukses shumë sfida sportive dhe organizative.
Nga lojtari te trajneri i Superligës
Në vitin 2005, Luan Sllamniku i dha fund karrierës si lojtar aktiv, por jo edhe lidhjes me hendbollin.
Menjëherë mori postin e trajnerit të parë të KH Drita dhe në sezonin 2006/07 e udhëhoqi ekipin nga Liga e Parë në Superligën e Kosovës.
Ai vazhdoi të jetë trajner i klubit për pesë vjet rresht, duke ndërtuar një ekip konkurrues dhe stabil.
Drejtor, kryetar dhe donator i klubit
Rrethanat në klub e detyruan më pas të marrë fillimisht postin e drejtorit, më vonë edhe të kryetarit, duke u shndërruar njëkohësisht edhe në donatorin kryesor të KH Drita.
Gjatë udhëheqjes së tij, Drita ishte vazhdimisht ndër katër skuadrat më të mira të Kosovës, pjesëmarrëse e rregullt në play-off, ndërsa 2–3 lojtarë të klubit ishin pjesë e reprezentacionit të Kosovës.
Sakrificë personale për të rinjtë
Edhe pse rrallë e përmend, nga mjetet e tij personale Sllamniku 4–5 herë ka financuar përgatitje në Durrës, me ekspedita prej rreth 20 lojtarësh.
“E kam bërë sepse e kam dashur hendbollin dhe kam dashur t’i ndihmoj të rinjtë, që të merren me sport dhe jo të bredhin rrugëve pa nevojë”, shprehet ai.
Mungesë vlerësimi institucional
Sllamniku shpreh zhgënjim për mungesën e mbështetjes nga institucionet komunale, duke theksuar se asnjëherë nuk është nderuar për kontributin e tij shumëvjeçar në hendbollin gjilanas.
“Nga viti 2006 deri më 2020 kam qenë i vetmi që e kam mbajtur gjallë këtë klub”, thotë ai.
Largimi dhe pasojat për KH Drita
Në vitin 2020, i lodhur fizikisht, psikikisht dhe materialisht, Sllamniku vendosi të largohet nga klubi.
Që nga ajo kohë, KH Drita vazhdon të funksionojë, por me shumë vështirësi dhe probleme dhe ende jo në Superligën e Kosovës.
Një figurë që mbetet në histori
Pa asnjë dyshim, Luan Sllamniku mbetet një nga personalitetet më të respektuara të hendbollit gjilanas pas luftës.
Kontributi i tij si lojtar, trajner, udhëheqës dhe donator ka lënë gjurmë të pashlyeshme.
Të gjithë lojtarët që kanë bashkëpunuar me të flasin me respekt dhe krenari për këtë figurë të ndritshme të sportit gjilanas.

