Ish-portieri i KF Drita, Xhemal Zeqiri, ka rikthyer kujtime dhe nostalgji te tifozët e klubit përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ku ka publikuar disa fotografi nga periudha 1999–2004, vite këto që shënojnë një kapitull të rëndësishëm në historinë e klubit gjilanas.
Në atë periudhë, KF Drita për herë të parë në historinë e saj fitoi Kupën e Kosovës dhe titullin e kampionit, duke hyrë në mesin e klubeve më të suksesshme të futbollit kosovar.
Postimi i Zeqirit ka zgjuar kureshtje dhe emocione te dashamirët e futbollit, duke rikthyer në kujtesë vitet e arta të klubit, i cili sot, siç dihet, ka shkruar histori edhe në arenën ndërkombëtare.
Në fotografitë e publikuara nga ajo periudhë shfaqen shumë nga futbollistët që kontribuuan në sukseset e KF Dritës.
Sipas kujtimeve dhe identifikimeve, për Dritën në atë kohë luajtën, apo në fotografi shihen këta futbollistë: Oguta, Aliu, Llumnica, Statovci, Zeqiri, Isufi, Osmani, Ademi, Sahiti, Saliu, Berhani, Kameri, Berisha, Rrahmani, Emini, Q. Osmani, Mervan Hoxha, Artan Halimi, Isuf Hadari, B. Azizi, Gjinovci, Jusufi, Baliju, Kastrati, Shuleta dhe Vokrri, me mundësinë që ndonjë emër të jetë harruar.
Ky rikthim në kohë përmes fotografive dhe kujtimeve shërben si dëshmi e rrugëtimit të suksesshëm të KF Dritës dhe e brezave që hodhën themelet e arritjeve që klubi po shijon edhe sot.

