Atleti kosovar nga KA Rogana, Leon Thaq, ka zënë vendin e tretë në garën e 400 metrave në Open Athletic Meeting, të mbajtur në Asics Arena në Sofje të Bullgarisë.
Thaq këtë distancë e përshkoi me kohën 48:69 sekonda, duke vendosur rekord shtetëror të Kosovës në sallë për disiplinën e 400 metrave.
Lajmin e ka bërë të ditur trajneri kosovar Zijadin Kryeziu, i cili ka vlerësuar paraqitjen e atletit si të shkëlqyeshme.
“Leoni pati një paraqitje shumë të mirë. Në konkurrencë me rreth 20 garues, ai arriti të renditet në top tre më të mirët e mitingut,” ka thënë Kryeziu.
Ai ka shtuar se Thaq garoi në baterinë e pestë, ku secila bateri kishte nga katër atletë, duke theksuar se Asics Arena disponon vetëm katër korsi, ndryshe nga pistat standarde që zakonisht kanë gjashtë korsi.
Ky sukses përbën një arritje të rëndësishme për atletikën kosovare dhe për klubin KA Rogana.

