Simboli i lashtë i Smirës frymëzon krijimtarinë moderne

Labirinti i Smirës vazhdon të frymëzojë njerëzit edhe sot
Labirinti rrethor i Smirës, përveç rëndësisë së madhe historike dhe arkeologjike që mbart, vazhdon edhe pas më shumë se dy mijë vjetësh të frymëzojë njerëzit në fusha të ndryshme të jetës dhe krijimtarisë.
Një atelie në Prishtinë, me emrin ACHAOS, e cila merret me prodhimin artizanal të çantave, portofolave dhe produkteve të tjera nga lëkura cilësore, ka zgjedhur pikërisht labirintin e Smirës si simbol dhe logo të saj.
Pronarët e këtij biznesi tregojnë se, gjatë kërkimit për një ide për logon, kanë vizituar Muzeun Kombëtar të Kosovës, ku janë frymëzuar nga ky simbol i lashtë dardan.
Sipas tyre, duke kuptuar se labirinti i Smirës i ishte kushtuar Hyjneshës Dardane, e cila besohej se u jepte forcë dhe frymëzim ushtarëve dhe njerëzve për të vazhduar përpara, ata vendosën ta marrin këtë simbol si shenjë dalluese të markës së tyre.
“Në mënyrë të ngjashme, edhe ne frymëzohemi nga ky simbol. Logoja e markës, ashtu siç tregon edhe vetë emri i saj, rrotullohet rreth kaosit. Ideja pas këtij ‘kaosi të organizuar’ është se qeniet njerëzore janë vetë kaotike dhe të çrregullta, por arrijnë ta kontrollojnë kaosin e tyre dhe ta organizojnë atë”, thuhet në shpjegimin e këtij biznesi.
Më tej, ata theksojnë se në kaosin e sotëm të rrjedhës së informacionit, i janë kthyer këtij simboli të lashtë për të nxitur punën dhe për të motivuar krijimtarinë e tyre, duke e bërë labirintin e Smirës së Vitisë pjesë të identitetit të markës.

Shpërndaj me të tjerët