Paralajmërohen projekte të reja, por ato në Uglar mbeten peng i vonesave

Projekte të reja në Velekincë, ndërsa investimet e nisura në Uglar mbeten të papërfunduara

Nga Bashkim Isufi

Komuna e Gjilanit ka nisur punimet për ndërtimin dhe zgjerimin e njërës nga rrugët kryesore të fshatit Velekincë, një projekt që banorët e presin me padurim.

Megjithatë, përvojat e mëparshme tregojnë se nisja e projekteve nuk garanton gjithmonë përfundimin e tyre në kohë, duke lënë qytetarët me pritje të gjata pa rezultat konkret.

Një shembull i qartë është fshati Uglar, ku banorët e mirëpritën me entuziazëm fillimin e punimeve për ndërtimin e tretuarit dhe të ambulancës së mjekësisë familjare.

Megjithatë, këto projekte ende nuk janë përfunduar, edhe pse kanë kaluar vite që nga nënshkrimi i kontratave për realizimin e tyre, duke krijuar zhgënjim dhe pasiguri tek banorët e fshatit.

Në shtator të këtij viti mbushen tre vite nga nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e tretuarit, ndërsa në maj mbushen dy vite nga nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e objektit të ambulancës.

Këto vonesa të zgjatura nxjerrin në pah mangësitë në menaxhimin e projekteve dhe mungesën e përgjegjësisë nga udhëheqësit lokalë.

Shpeshherë, udhëheqësit lokalë duket se fokusohen më shumë në promovimin e projekteve të reja, duke lënë pas përfundimin e atyre ekzistuese.

Këto vonesa të zgjatura tregojnë qartë mangësitë serioze në menaxhimin dhe mbikëqyrjen e projekteve infrastrukturore, si dhe mungesën e transparencës dhe përgjegjësisë institucionale ndaj banorëve.

Sipas raportimit të portalit Demokracia.com, Komuna e Gjilanit, e udhëhequr nga kryetari Alban Hyseni, po realizon projekte infrastrukturore jashtë standardeve të ndërtimit.

Në projektin “Ndërtimi i Trotuarit në fshatin Uglar (Ritender)”, kontraktori i angazhuar Gartten-Gj, në konzorcium me NNT ABC SH.P.K., po vendos gurë skajorë me dimensione më të vogla se ato të parashikuara në kontratë dhe standardet e ndërtimit.

Sipas këtij raportimi, gurët që duhej të ishin 24 cm po vendosen 20 cm, ndërsa disa që duhet të ishin 21 cm po vendosen vetëm 15–16 cm.

Po ashtu, sipas të njëjtit burim, edhe klasa e betonit duket të jetë më e ulët se ajo e kontraktuar, ndërsa cilësia e materialeve mund të konfirmohet vetëm përmes analizave laboratorike.

Ky rast tregon rëndësinë e një menaxhimi të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm të projekteve infrastrukturore.

Prioriteti duhet të jetë jo vetëm nisja e projekteve të reja, por edhe përfundimi në kohë dhe me cilësi i atyre ekzistuese, për të garantuar shërbime të besueshme dhe të qëndrueshme për banorët.

Banorët e Velekincës, ashtu si të gjithë komuniteti, kanë të drejtë të presin që projektet publike të realizohen brenda afateve dhe sipas standardeve të kërkuara të ndërtimit.

Është e papranueshme që të promovohen projekte të reja, ndërkohë që ato ekzistuese mbeten të papërfunduara për vite me radhë, duke i lënë banorët përballë premtimeve të pambajtura.

Urojmë që banorët e fshatit Velekincë të mos përjetojnë të njëjtin fat si ata të fshatit Uglar, të cilët e mirëpritën me shumë gëzim fillimin e punimeve për ndërtimin e tretuarit dhe të objektit të ambulancës së mjekësisë familjare.

Ky shembull tregon qartë se pa menaxhim dhe përgjegjësi të duhur, projektet mbeten vetëm premtime të pambajtura.

(Autori është jurist i diplomuar dhe banor i fshatit Uglar)

Shpërndaj me të tjerët