Një histori rezistence, sporti i pavarur në Gjilan 1991–1992

Foto që sjellin histori: Sporti i pavarur në Gjilan në vitet 1991–1992

Disa fotografi të publikuara nga ish-portieri, trajneri dhe ish-kryetari i klubit të futbollit KF Drita, Ajnur Maksuti, kanë rikthyer emocione, nostalgji dhe një pjesë të rëndësishme të historisë së sportit në Gjilan.

Fotografitë janë nga ceremonia e zgjedhjes së sportistit të vitit nga Lidhja e Sporteve të Pavarura të Gjilanit, pas përfundimit të sezonit të parë të sportit të pavarur 1991–1992.

Ajo periudhë ishte ndër më të vështirat për sportin në Kosova. Sporti shqiptar zhvillohej paralel me sistemin zyrtar të pushtetit serb, ndërsa sportistët shqiptarë shpeshherë nuk lejoheshin të përdornin stadiumet dhe palestrat sportive, pasi ishin dëbuar nga institucionet sportive.

Megjithatë, pavarësisht vështirësive, vullneti, këmbëngulësia dhe dashuria për sportin bënë që garat të vazhdonin në kushte të improvizuara, duke mbajtur gjallë frymën sportive dhe identitetin kombëtar.

Këto fotografi sot përfaqësojnë jo vetëm kujtime të bukura për sportistët e asaj kohe, por edhe dëshmi të një periudhe historike kur sporti u bë simbol i rezistencës dhe unitetit.

Shpërndaj me të tjerët