6 vite nga fillimi i pandemisë, roli i Arbër Ismajlit në betejën e Gjilanit me COVID-19

Janë bërë gjashtë vite nga 13 marsi 2020, dita kur Kosova u mbyll zyrtarisht në karantinë për shkak të pandemisë së COVID-19. Në këtë përvjetor rikthehet në kujtesë mobilizimi i institucioneve dhe qytetarëve në një nga periudhat më të vështira për vendin.

Në atë kohë, ish-nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ishte një nga figurat kryesore në menaxhimin e krizës në nivel lokal. Si kryesues i shtabit operativ emergjent në Gjilan, ai u angazhua drejtpërdrejt në koordinimin e institucioneve dhe në mbështetjen e qytetarëve gjatë periudhës së izolimit.

Më 13 mars 2020, Qeveria e Kosovës vendosi masa të rrepta për frenimin e përhapjes së virusit: u mbyllën shkollat dhe bizneset, u kufizuan fluturimet dhe u vendos ora policore. Situata krijoi pasiguri të madhe tek qytetarët dhe bizneset, ndërsa institucionet u përballën me një sfidë të paprecedentë.

Gjatë kësaj periudhe, Ismajli dhe ekipet emergjente punuan në terren për të siguruar ndihmë për familjet në nevojë, në koordinim me spitalin, policinë, inspektorët dhe vullnetarët.

“Ishte një periudhë shumë e vështirë. E gjithë bota ishte e papërgatitur për një pandemi të tillë. Qëllimi ynë ishte të siguronim ushqim dhe mbështetje për familjet. Qytetarët i konsideroja bashkëluftëtarë në atë betejë,” kujton Ismajli.

Sipas tij, një rol të rëndësishëm në përballimin e krizës patën edhe bizneset lokale, të cilat kontribuuan me ndihma dhe mbështetje për qytetarët dhe shtabin emergjent.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë pandemisë në Kosovë u regjistruan rreth 273 mijë raste të infektuara dhe mbi 3,300 viktima, ndërsa në Gjilan u shënuan rreth 12 mijë të infektuar, 11,500 të shëruar dhe 160 viktima.

Edhe sot, gjashtë vite pas fillimit të pandemisë, periudha e COVID-19 mbetet një nga kapitujt më të vështirë në historinë e fundit të vendit, ndërsa mobilizimi i institucioneve dhe qytetarëve kujtohet si një shembull solidariteti dhe përballjeje me krizën.

 

 

Shpërndaj me të tjerët