Pogragja ndër të parat në rajon që luante pingpong dhe vaterpolo

Kur pingpongu dhe vaterpoloja ishin të panjohura, Pogragja solli sportet e reja në vitet ’60

Sporti i pingpongut, e veçanërisht ai i vaterpolos, në Gjilan dhe rrethinë dikur ishin pothuajse të panjohura dhe shumë pak të praktikuara.

Në atë kohë, pingpongu luhej vetëm në Shtëpinë e Armatës në Gjilan, ndërsa për vaterpolon shumë njerëz as që kishin dëgjuar.

Megjithatë, një rol të veçantë në zhvillimin e sportit e pati fshati Pogragja.

Sipas librit “Pogragja ndër shekuj” të autorit Xhafer Xhaferi, në vitin 1963 shkolla e këtij fshati u bë një ndër të parat në rajon ku filloi të luhej pingpongu.

Në kapitullin kushtuar sportit në këtë libër përmendet se në muajin shkurt të vitit 1963, Nuhi Rexhepi, Rifat Shabani dhe Sadik Rashiti, pasi u diplomuan për mësues, nisën punën në shkollën e Pogragjës.

Ata kishin përvojë sportive, pasi kishin luajtur hendboll për klubin studentor Normalisti i Prishtinës, ndërsa Rifati edhe për klube të tjera.

Me ardhjen e tyre, jeta sportive në fshat u gjallërua ndjeshëm, sidomos në basketboll, hendboll, futboll dhe volejboll.

Po atë vit, tre mësuesit shprehën dëshirën për të blerë një tavolinë pingpongu.

Sekretari i shkollës në atë kohë, Ramiz Shabani, si përkrahës i aktiviteteve sportive të të rinjve, ua dha menjëherë autorizimin për ta blerë atë në Prishtinë.

Kështu, shkolla e Pogragjës u bë një ndër vendet e para në rajon ku filloi të luhej pingpongu, në një kohë kur edhe në Gjilan kjo lojë praktikohej vetëm në Shtëpinë e Armatës.

Ndërkohë, disa vite më vonë, gjatë periudhës së studimeve (1965–1967), Nuhi Rexhepi, Rifat Shabani, Sadik Rashiti, Azem Azemi dhe Rexhep Qamili, së bashku me Halim Halimi, Jakup Bejtullahu dhe Vehbi Rexhepi, në vendin e njohur si “Pusi i Stankut” në Moravë, praktikonin edhe një sport tjetër të pazakontë për atë kohë, vaterpolon.

Të rinjtë e fshatit mblidheshin për t’i parë dhe për të shijuar këtë lojë të rrallë.

Vlen të theksohet se Nuhi Rexhepi dhe Rifat Shabani, gjatë kohës kur ishin studentë, ishin pjesë e përfaqësueses së studentëve të Prishtinës në hendboll dhe morën pjesë në lojërat studentore republikane në Beograd në vitin 1965.

Kjo dëshmi historike tregon se Pogragja ka pasur një rol të rëndësishëm në gjallërimin dhe zhvillimin e jetës sportive në këtë pjesë të Kosovës, duke qenë ndër vendet e para që solli sporte të reja për kohën.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaj me të tjerët