Është mbajtur një takim përgatitor në kuadër të organizimit të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare Vjetore të Universitetit “Kadri Zeka” – UKZAC-2026, e cila këtë vit mban temën: “Ndikimi i shkencës në zhvillimin e qëndrueshëm”.
Gjatë këtij takimi i cili është thirrur nga kryesuesi i Këshillit Organizativ Prof. Dr. Xhevdet Thaqi, u diskutuan hapat organizativë dhe përgatitjet për realizimin e konferencës, e cila do të mbahet në fillim të muajit qershor 2026. Pjesëmarrësit u informuan rreth strukturës së konferencës, e cila do të përfshijë prezantime të rezultateve shkencore në gjashtë seksione kryesore: EduDay, Drejtësi, Ekonomi, DiGiDay, Matematikë dhe Shkenca Sociale.
U theksua se afati për dorëzimin e abstrakteve është deri më 05 maj 2026, ndërsa konferenca dyditore do të shërbejë si një platformë e rëndësishme bashkëpunimi për studiues, edukatorë dhe hartues politikash nga rajoni dhe më gjerë.
Programi i konferencës do të përfshijë sesione plenare me folës kryesorë, prezantime shkencore nga fusha të ndryshme si informatika, matematika, arsimi, drejtësia, ekonomia dhe shkencat sociale, si dhe sesione paralele pune në një atmosferë bashkëpunuese dhe profesionale.
Gjithashtu, gjatë takimit u diskutuan edhe aspektet teknike të pjesëmarrjes, përfshirë standardet e punimeve shkencore, gjuhët zyrtare të konferencës (shqip dhe anglisht), si dhe mundësitë për prezantime nga institucione dhe kompani.
U bë e ditur se pjesëmarrja në konferencë është pa pagesë, ndërsa organizatorët do të sigurojnë materiale të konferencës, përmbledhjen e abstrakteve, si dhe aktivitete përcjellëse.
Takimi përfundoi me dakordimin për vazhdimin e koordinimit dhe angazhimin e të gjitha strukturave për realizimin me sukses të kësaj konference me rëndësi ndërkombëtare.

