Bamirësi anonim dhuron veturë për Medresenë e Gjilanit në prag të Bajramit

Fryma e solidaritetit dhe bamirësisë që karakterizon festën e Fitër Bajramit është konkretizuar me një akt njerëzor.

Këshilli i Bashkësisë Islame në Ferizaj i ka dhuruar sot degës së Medresesë “Alauddin” në Gjilan një veturë të tipit Skoda Scala (viti 2021) .

Ky donacion i çmuar është mundëssuar  nga një donator që ka zgjedhur të mbetet anonim, duke u besuar në këtë amanet KBI-së në Ferizaj për ta përcjellë atë në vendin e merituar.

Në ceremoninë zyrtare të dorëzimit morën pjesë krerët e Bashkësive Islame nga të dy qytetet.

Kryetari i KBI Ferizaj, Nexhmedin ef. Bajrami, së bashku me sekretarin Fehmi ef. Mehmeti, bën dorëzimin e çelësave në praninë e Drejtorit të Medresesë “Alauddin” në Prishtinë, Ekrem ef. Maqedonci, dhe Koordinatores se  degës në Gjilan, znj. Merita Boroci.

Po ashtu, në këtë akt morën pjesë edhe Kryetari i KBI Gjilan, Naim ef. Aliu me bashkëpunëtorë, si dhe stafi i Medresesë “Alauddin” – dega Gjilan.

Ky gjest fisnik vjen si dëshmi konkrete e përkushtimit institucional dhe shoqëror për mbështetjen e arsimit fetar dhe zhvillimin e brezave të rinj, duke reflektuar vlerat e sakrificës, dhurimit dhe kujdesit për të tjerët, veçanërisht në ditët e mëdha të festave islame.

 

 

Shpërndaj me të tjerët