Pas plot 37 vitesh përkushtim dhe punë të palodhur në SHFMU “Metush Krasniqi” në Rogaçicë, më 18 mars 2026 është pensionuar arsimtari i matematikës, Reshat Kryeziu.
Gjatë karrierës së tij të gjatë, Kryeziu nuk ishte vetëm një mësimdhënës i matematikës, por një pedagog i vërtetë që edukoi breza të tërë nxënësish. Me durim, profesionalizëm dhe përkushtim, ai arriti të mbjellë tek nxënësit jo vetëm dashurinë për matematikën, por edhe vlera të rëndësishme njerëzore si përgjegjësia, puna dhe respekti.
Ai do të kujtohet si një arsimtar i drejtë, i palodhur dhe gjithmonë i gatshëm për të dhënë kontribut në edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj, duke qenë një figurë e respektuar nga kolegët, nxënësit dhe komuniteti.
Në një darkë solemne të organizuar me këtë rast, drejtoresha e shkollës, Belgizare Kryeziu, e falënderoi për kontributin e çmuar ndër vite në fushën e arsimit, duke theksuar rolin e tij në sukseset dhe rezultatet e arritura nga shkolla.
“Faleminderit për gjithçka që keni dhënë për shkollën dhe arsimin”, u shpreh ajo, duke i uruar një pensionim të qetë, me shëndet dhe mirëqenie.
Në shenjë mirënjohjeje, arsimtarit Kryeziu iu nda edhe një mirënjohje për kontributin e tij shumëvjeçar në arsim.
Nga ana e tij, Reshat Kryeziu falënderoi të pranishmit për bashkëpunimin dhe respektin e ndërsjellë ndër vite, duke theksuar se vitet e shërbimit në arsim do t’i mbajë mend si më të mirat e jetës së tij.
Në këtë aktivitet, kujtime nga jeta studentore e arsimtarit i solli edhe vëllai i tij, Prof. Dr. Refik Kryeziu.
Me respekt dhe mirënjohje të thellë, drejtoria e shkollës dhe kolegët vlerësuan lart kontributin e tij të çmuar në edukimin e gjeneratave të shumta.
