Pas një pritjeje prej pesë vitesh dhe diskutimeve të shumta rreth rrezikut që kanosej, më në fund është ndërhyrë në krasitjen e lisit që ndodhet pranë Lapidarit të dëshmorëve “Shaban dhe Sami Ukshini” në Zhegër.
Lajmi është bërë i ditur nga asamblisti i LDK-së, Muhadin Haziri, i cili konfirmoi se aksioni u realizua përmes një koordinimi mes Këshillit të Fshatit, kryetarit Qahil Halili dhe autoriteteve kompetente komunale në Gjilan.
Ky veprim emergjent erdhi si pasojë e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të pemës, ku tharja e pjesshme e degëve jo vetëm që po e dëmtonte lisin më tej, por ishte kthyer në një kërcënim serioz për sigurinë publike.
Degët e mëdha dhe të dobësuara ishin shtrirë mbi rrugën kryesore, hapësirë kjo ku kalojnë çdo ditë nxënësit dhe qytetarët e shumtë, duke paraqitur rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e tyre.
Përmes kësaj ndërhyrjeje profesionale, u bë largimi i pjesëve të dëmtuara me qëllim lirimin e hapësirës publike dhe mbrojtjen e infrastrukturës përreth lapidarit.
Vendimi për krasitjen u mor me përgjegjësi të plotë institucionale, duke synuar ruajtjen e asaj që ka mbetur e shëndoshë nga lisi simbolik i kësaj ane.
Zyrtarët kanë theksuar se personat adekuatë të lëmisë përkatëse do të vazhdojnë ta mbikëqyrin gjendjen e tij edhe në të ardhmen, për të siguruar trajtim profesional që mundëson shpëtimin e tij të mëtutjeshëm, gjithmonë duke pasur si prioritet sigurinë e qytetarëve të Zhegrës.
