Drejtori i Zhvillimit Ekonomik në Gjilan, Haki Huruglica, po vazhdon me intensitet vizitat nëpër bizneset lokale, duke shfaqur një qasje të re dhe proaktive në udhëheqjen e këtij dikasteri. I fokusuar te sfidat dhe specifikat e sektorit privat, Huruglica ka vizituar së fundmi kompaninë “FLEXOGRAF”, një ndërmarrje kyçe në fushën e shtypjes fleksografike dhe paketimit.
Gjatë kësaj vizite, drejtori Huruglica u njoh nga afër me procesin e prodhimit të etiketave dhe paketimeve plastike, ku vuri re përdorimin e teknologjisë bashkëkohore dhe standardet e larta të cilësisë. “Flexograf” aktualisht numëron 87 punëtorë dhe dallohet për misionin e saj social: trajnimin e të rinjve deri në nivel profesional, duke krijuar kështu vende të reja pune dhe kuadro të kualifikuara për tregun lokal.
“Vizita në këtë kompani dëshmon rëndësinë e mbështetjes së prodhuesve vendorë për të rritur konkurrueshmërinë e tyre,” u shpreh Huruglica, i cili deri më tash ka vizituar dhjetëra kompani në Gjilan. Kjo nismë e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik synon forcimin e bashkëpunimit mes institucionit dhe biznesit për të stimuluar rritjen ekonomike në komunë.

