Pensionohet Dr. Jashar Ramadani, shtylla e shëndetësisë në Gjilan

Në një ceremoni emocionuese ku morën pjesë profesionistë të shëndetësisë të nivelit primar dhe sekondar, drejtues institucionalë dhe familjarë, sot është shënuar pensionimi i Dr. Jashar Ramadanit, një prej figurave më emblematike të mjekësisë në rajonin e Gjilanit.

I lindur në Zhegër, ku kreu shkollimin fillor, Dr. Ramadani vazhdoi rrugëtimin e tij akademik në Universitetin e Beogradit, ku mbaroi fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme, specializimin në Pediatri dhe magjistraturën.

Pas luftës, ai shërbeu me përkushtim në repartin e Neonatologjisë në Spitalin e Gjilanit, ndërsa më vonë përfundoi edhe specializimin e Mjekësisë Familjare në Universitetin e Prishtinës.

Karriera e tij u karakterizua nga pozita të larta drejtuese dhe një peshë të veçantë institucionale.

Gjatë dy mandateve si Drejtor i Shëndetësisë në Gjilan, Dr. Ramadani la një gjurmë të pashlyeshme ku përmes sigurimit të donacioneve të huaja, arriti të ndërtojë 16 objekte shëndetësore, kryesisht Qendra të Mjekësisë Familjare (QMF). Përtej mjekësisë, ai shërbeu për dy mandate edhe si Shef i Kabinetit në Ministrinë e Mbrojtjes, duke dhënë kontribut direkt në shtetndërtim.

Përvoja e tij u njoh edhe ndërkombëtarisht si anëtar i Akademisë Amerikane të Mjekëve Familjarë dhe menaxher trajnimesh në kuadër të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Kontributi i tij nuk u kufizua vetëm në kohë paqeje; në rrethanat më të vështira të luftës, ai vuri dijen dhe profesionalizmin e tij në shërbim të mbrojtjes së jetës së qytetarëve.

Gjatë dekadave të punës, Dr. Ramadani mbeti një shembull i etikës, integritetit dhe një mentor i palodhur për shumë profesionistë të rinj, duke ndarë përvojën e tij me fisnikëri.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare dhe i gjithë komuniteti shëndetësor në Gjilan i shprehin mirënjohjen më të lartë për trashëgiminë e tij profesionale, duke i uruar shëndet të plotë dhe qetësi në këtë fazë të re të jetës.

 

Shpërndaj me të tjerët