Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se vaksinat kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të arrijnë në Republikën e Kosovës më 21 tetor 2026.
Përmes një komunikate për media, IKShPK bën të ditur se ky proces është ndikuar nga ndryshimet ndërkombëtare në përbërjen e shtameve të rekomanduara për vaksinën e hemisferës veriore.
Këto modifikime kanë shkaktuar vonesa në afatet e prodhimit dhe furnizimit në nivel global, gjë që ka prekur edhe vendet e rajonit.
Si rrjedhojë, arritja e vaksinave në Kosovë është shtyrë për 21 ditë nga afati i planifikuar fillimisht.
Sipas njoftimit, IKShPK është duke e përcjellë nga afër këtë proces dhe menjëharë pas pranimit të kontingjentit, do të dalë me njoftim zyrtar për fillimin e procesit të vaksinimit.
Qytetarët do të informohen me kohë rreth qendrave dhe orareve ku mund të vaksinohen, posa të përfundojnë procedurat teknike të pranimit dhe shpërndarjes nëpër institucionet shëndetësore.
IKShPK ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe.
