ARSIM / Gjilani shpall fituesit e Olimpiadës së Gjuhës Shqipe

Është mbajtur suksesshëm faza e dytë e Olimpiadës Mbarëkombëtare të Gjuhës Shqipe në nivel komunal, ku nxënësit gjilanas kanë treguar rezultate të larta në njohjen dhe mbrojtjen e gjuhës amtare.

Drejtori i Arsimit, Jeton Rexhepi, njoftoi se pas fazës së parë të mbajtur nëpër shkolla publike dhe private, në garën komunale morën pjesë gjithsej 111 nxënës.

Nga kjo konkurrencë e fortë, bazuar në rregulloren e Olimpiadës, 20 nxënësit më të suksesshëm kanë siguruar kalimin për në fazën e tretë shtetërore.

Në mesin e rezultateve më të larta, tre vendet e para në nivel komunal u takuan nxënëseve: Jorë Haliti – 46 pikë (SHFMU “Agim Ramadani”), Ledina Hajrizi – 46 pikë (SHFMU “Thimi Mitko”) dhe Someja Muji – 45.5 pikë (SHFMU “Ibrahim Uruqi”)

Rezultatet e plota tashmë u janë përcjellë drejtuesve të të gjitha shkollave pjesëmarrëse.

Faza e tretë dhe vendimtare e kësaj olimpiade pritet të mbahet më 9 maj në Prishtinë, ku nxënësit e kualifikuar do të përfaqësojnë komunën e Gjilanit në nivel republike.

“Drejtoria e Arsimit uron të gjithë nxënësit për sukseset e arritura dhe falënderon komisionin për punën profesionale në realizimin e këtij organizimi.

Synimi ynë mbetet avancimi i njohurive gjuhësore te gjeneratat e reja,” deklaroi drejtori Rexhepi.

Ky organizim vlerësohet si një mundësi e shkëlqyer për promovimin e vlerave kombëtare dhe rritjen e cilësisë në mësimdhënien e gjuhës shqipe nëpër shkollat e Gjilanit.

 

Shpërndaj me të tjerët