ADMINISTRATË/ Gjilani formon komision të posaçëm për sistemimin e arkivave

Drejtori i Administratës në Komunën e Gjilanit, Elbasan Shabani, ka pritur në një takim zyrtar drejtoreshën për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Eljesa Rashiti, me të cilën ka bashkërenduar hapat për reformimin e sistemit arkivor. T

akimi u zhvillua në një frymë bashkëpunimi institucional, me fokus të veçantë në përmirësimin e menaxhimit të dokumentacionit dhe modernizimin e arkivave komunale.

Gjatë diskutimit, me iniciativë të përbashkët, palët u dakorduan për nevojën e formimit të një komisioni të posaçëm për arkivat komunale.

Trupi i ri profesional do të ketë për detyrë evidentimin, klasifikimin dhe sistemimin e materialeve arkivore në mënyrë profesionale, duke siguruar që çdo dokument të trajtohet në përputhje të plotë me standardet dhe legjislacionin në fuqi.

Drejtori Shabani theksoi se reformimi i arkivës është i domosdoshëm për të rritur transparencën dhe efikasitetin e administratës.

Gjithashtu, në bisedë e sipër u potencua rëndësia që dokumentet dhe materialet që nuk kanë më vlerë administrative apo ligjore të trajtohen përmes procedurave të parashikuara për asgjësimin e tyre.

Koordinimi ndërmjet dy drejtorive synon të avancojë iniciativat konkrete që kontribuojnë në mirëmbajtjen profesionale të memories institucionale të komunës dhe lehtësimin e qasjes në dokumente për qytetarët.

 

Shpërndaj me të tjerët