AKSIONI I BEFASISHËM/ Sekuestrohen mbi 3 mijë artikuj tekstili të falsifikuar, vlera kalon 80 mijë euro

Njësitet e Doganës së Kosovës kanë realizuar një kontroll të papritur në një objekt të dyshuar, duke goditur kështu kontrabandën dhe shkeljen e të drejtave të pronësisë intelektuale.

Gjatë këtij aksioni të suksesshëm, zyrtarët doganorë kanë zbuluar dhe sekuestruar një sasi të madhe mallrash pa dokumentacion të rregullt, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.

Në total, bëhet fjalë për 3,183 copë produkte tekstile të markave të njohura ndërkombëtare. Në mesin e mallit të bllokuar përfshihen veshje të ndryshme si bluza, maica, shorce, trenerka, jakne, kapela dhe artikuj të tjerë të ngjashëm.

Sipas procedurave të parapara ligjore, i gjithë ky mall është dërguar menjëherë në depon e sigurt doganore.

Sipas vlerësimit zyrtar të bërë nga Dogana e Kosovës, vlera e tregut për këto mallra të sekuestruara arrin në saktësisht 81,677.46 euro.

Po ashtu, detyrimet e llogaritura doganore dhe tatimore që i janë shmangur shtetit kapin vlerën e mbi 24 mijë eurove.

Në përmbyllje, nga Dogana e Kosovës kanë ritheksuar se mbeten të përkushtuar maksimalisht në luftimin e kontrabandës dhe tregtisë ilegale të mallrave që cenojnë markat tregtare, me synimin e vetëm për të mbrojtur ekonominë e vendit, konsumatorët dhe konkurrencën e ndershme në treg.

 

 

Shpërndaj me të tjerët