ARSIM/Edhe të dielën punohet në shkollat e Kamenicës, montohen klimat në dy institucione

INVESTIM NË AMBIENTE MË KOMODE PA PENGUAR PROCESIN MËSIMOR

​KAMENICË – Punimet për përmirësimin e infrastrukturës shkollore në Komunën e Kamenicës po vazhdojnë me intensitet të shtuar edhe gjatë ditëve të vikendit, në mënyrë që të mos pengohet mbarëvajtja e procesit mësimor.

​Drejtori i Arsimit në Komunën e Kamenicës, Selami Klaqi, ka bërë të ditur se gjatë kësaj fundjave po përmbyllet me sukses montimi i klimave në dy institucione të rëndësishme arsimore të kësaj komune: në Gjimnazin “Ismail Qemali” dhe në Institucionin Parashkollor “Filizat” në Koretin.

​Përmes një njoftimi publik të dielën, drejtori Klaqi ka theksuar se ky investim është realizuar në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme për krijimin e ambienteve sa më të përshtatshme dhe komode për nxënësit, fëmijët dhe stafin edukativ.

​“Ky investim kontribuon në krijimin e ambienteve më komode, duke mundësuar kushte më të mira për zhvillimin e procesit mësimor dhe edukativ. Vazhdojmë të investojmë në arsim, sepse investimi në arsim është investim në të ardhmen!”, ka shkruar drejtori i Arsimit në Kamenicë, Selami Klaqi./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët