Në kuadër të përpjekjeve për modernizimin e arsimit dhe ngritjen e cilësisë së mësimdhënies, Komuna e Kamenicës ka nisur krijimin e këndeve të reja funksionale për zbatimin e mësimit tërëditor.
Kjo iniciativë synon t’u ofrojë nxënësve mjedise të përshtatshme ku koha në shkollë shfrytëzohet jo vetëm për mësim, por edhe për bashkëpunim, lexim, aktivitete kreative dhe zhvillimin e aptësive të ndryshme.
Projekti po realizohet në tri vatrat kryesore të dijes në këtë komunë: në shkollën fillore të mesme të ulët “Metush Krasniqi” në Roganë, në “Abdullah Krashnica” në Koretin, si dhe në shkollën “Skënderbeu” në Hogosht dhe Kopernicë.
Përmes këtij investimi, këto institucione arsimore po shndërrohen në hapësira bashkëkohore që i përgjigjen kërkesave të arsimit modern.
Lidhur me këtë transformim, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Kamenicë, Selami Klaiqi, ka theksuar përkushtimin e komunës për të krijuar kushte sa më të mira për brezin e ri.
“Qëllimi ynë është një shkollë më funksionale, më gjithëpërfshirëse dhe më afër nevojave të nxënësve,” është shprehur drejtori Klaiqi.
Me jetësimin e këtyre këndeve të reja, shkollat e Kamenicës po bëjnë një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një mjedisi stimulues, ku nxënësit mund të zhvillojnë potencialin e tyre të plotë përgjatë gjithë ditës shkollore.
