Një përballje mjaft interesante dhe me peshë në elitën e futbollit kosovar do të zhvillohet sonte nga ora 19:00 në stadiumin e Klinës, ku Dukagjini do të jetë nikoqir i Dritës së Gjilanit.
Skuadra vendase po kalon në një ecuri fantastike të lojërave dhe rezultateve në këtë fillim edicioni.
Aktualisht, Dukagjini renditet në pozitën e tretë në tabelë me 12 pikë të tubuara, nga tri fitore e tri barazime, duke mbetur një skuadër që ende nuk ka shijuar shijen e humbjes.
Në anën tjetër, Drita zë vendin e gjashtë me 8 pikë (dy fitore, dy barazime dhe një disfatë, por me një ndeshje më pak të zhvilluar).
Mbetet të shihet nëse gjilanasit do të jenë të parët që do t’i shkaktojnë disfatën e parë klinasve në këtë kampionat.
Atmosfera në taborrin bardhekaltër është mjaft optimiste. Te Drita besojnë se përveç një paraqitjeje të mirë në fushë, sonte do të shoqërohen edhe nga efikasiteti para portës kundërshtare.
Kryetrajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka bërë të ditur se e kanë analizuar me kujdes kundërshtarin dhe se synimi i vetëm mbetet fitorja.
”E kemi analizuar mirë kundërshtarin dhe shkojmë në Klinë për tri pikë. Mirëpo, për të arritur te fitorja na duhet angazhim i madh, përkushtim, agresivitet, shpirt luftarak dhe koncentrim maksimal gjatë tërë ndeshjes,” ka deklaruar Nuhiu para këtij sfiduese.
Ndeshja pritet të dhurojë rivalitet të madh sportiv, me të dyja skuadrat që kërkojnë pikët e plota për të vazhduar ngjitjen në tabelë.
