Më 1 shtator, Shkolla “Bajram Curri” në Shurdhan të Gjilanit hapi dyert për vitin e ri shkollor duke dëshmuar se çfarë do të thotë me të vërtetë të jesh një mjedis arsimor model.
Nga fotot e dërguara shihet qartë se si duhet të duket një shkollë bashkëkohore: pastërti e jashtëzakonshme, inventar i mirëmbajtur, hapësira funksionale dhe një ambient plotësisht i gatshëm për të garantuar kushte dinjitoze mësimi.
Përmes një njoftimi zyrtar, Drejtoria e Shkollës bën të ditur se mjediset pritën nxënësit në kushte optimale, duke vendosur një standard të lartë se si duhet të jetë çdo vatër dijeje.
Ky rezultat erdhi si fryt i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Komunës së Gjilanit, Drejtorisë Komunale të Arsimit, mësimdhënësve, prindërve dhe vullnetmirëve, me një mirënjohje të veçantë për stafin teknik që realizoi këtë punë të palodhshme.
Me urimet më të mira për një vit të mbarë e të suksesshëm, drejtoria u dëshiron mirëseardhje dhe arritje të mëdha të gjithë nxënësve në mjediset e tyre model.
