Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Universitetin Shtetëror Bujqësor të Azerbajxhanit, duke zgjeruar kështu rrjetin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mundësitë për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike e shkencore.
Memorandumi u nënshkrua nga Rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ndërsa paraprakisht është nënshkruar edhe nga Rektori i Universitetit Shtetëror Bujqësor të Azerbajxhanit, Prof. Asoc. Dr. Zafar Gurbanov.
Kjo marrëveshje synon krijimin e një kornize të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve në fusha me interes të përbashkët. Ajo përfshin shkëmbimin e stafit akademik dhe administrativ, mobilitetin e studentëve, zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, si dhe organizimin e konferencave, simpoziumeve dhe programeve të përbashkëta akademike.
Po ashtu, parashihet shkëmbimi i materialeve shkencore dhe bibliotekare, si dhe ndarja e përvojave më të mira lidhur me metodat e mësimdhënies dhe zhvillimin institucional.
Përveç komponentës akademike, memorandumi i kushton rëndësi edhe bashkëpunimit ndërmjet studentëve dhe organizatave studentore në aktivitete kulturore, akademike dhe sportive.
I gjithë ky partneritet do të zhvillohet mbi parimin e reciprocitetit, ndërsa aktivitetet konkrete do të realizohen përmes marrëveshjeve të veçanta, të cilat do të përcaktojnë kushtet dhe mënyrën e zbatimit për secilin projekt.
