ARSIM/UKZ pjesëmarrëse në takimin “CoVE STEM Europe” në Gjermani

Profesori i Matematikës në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Dr. Xhevdet Thaqi, po merr pjesë në takimin e radhës të partnerëve të projektit evropian “CoVE STEM Europe” (TPM4), i cili po mbahet në Mülheim an der Ruhr të Gjermanisë.

​Përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, Prof. Dr. Thaqi ka bërë të ditur detajet e ditës së parë të këtij organizimi, e cila ka nisur me një vizitë studimore në HRW FabLab, pranë Universitetit të Shkencave të Aplikuara Ruhr West.

​Ai ka theksuar se gjatë kësaj vizite pjesëmarrësit janë njohur nga afër me një mjedis bashkëkohor dhe inovativ, ku shkenca, teknologjia, inxhinieria dhe matematika (STEM) ndërthuren për të zhvilluar ide kreative dhe zgjidhje praktike për probleme reale.

​Sipas profesorit gjilanas, kjo përvojë dëshmoi rëndësinë e integrimit të njohurive STEM, duke nxitur kreativitetin, eksperimentimin dhe inovacionin.

Njëherësh, takimi shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet partnerëve evropianë, me synimin për të kaluar nga njohuritë e segmentuara drejt STEM-it të integruar dhe nga idetë drejt inovacionit konkret./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët