Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka vizituar sipërmarrësin me origjinë nga Gjilani, Fahrettin Gülener, i cili udhëheq një nga korporatat më të fuqishme industriale në Bursa të Turqisë.
Gülener, i cili është djali i mjeshtrit të njohur gjilanas të shporetave, Vehbi Sirixhani, e ka transformuar trashëgiminë familjare nga një punishte e vogël tradicionale në një industri moderne.
Sot, përmes korporatës ERMETAL GROUP, ai drejton 6 fabrika me mbi 1,500 punonjës.
Kryetari Rahimaj e ka cilësuar historinë e tij si jashtëzakonisht frymëzuese, duke vlerësuar punën, zellin dhe kontributin e tij të madh jo vetëm në industri, por edhe në arsimin profesional.
Gülener ka themeluar dy shkolla profesionale në Turqi për aftësimin e punëtorëve dhe operatorëve të makinerive, nga të cilat kanë përfituar edhe të rinjtë nga Kosova përmes gjashtë grupeve të trajnuara atje.
Përveç arritjeve në biznes, Fahrettin Gülener njihet si donator i shumë projekteve në Kosovë dhe veprimtar i përkushtuar i çështjes shqiptare në Bursë, duke mbetur një shembull i lidhjes së pashkëputur me atdheun.
