HISTORI DHE TRADITË/ Kush ishin kilonferët (teneqepunuesit) e hershëm të Gjilanit?

Zeja e teneqepunuesit (kilonferit) mbetet një nga profesionet më të rëndësishme në historinë e përpunimit të metaleve në Kosovë.

Kjo zeje, e cila nisi të përhapej me të madhe kah fundi i shekullit XIX, i dha formë jetës urbane në Gjilan përmes punimit të mjeteve të ndryshme shtëpiake, ndërtimore e artizanale.

​Sipas të dhënave historike të periudhës pas luftërave ballkanike, në Gjilan vepronin 7 dyqanet e para të kësaj zeje, të cilat menaxhoheshin nga zejtarë të nacionaliteteve të ndryshme.

Zhvillimi mes dy luftërave botërore

​Bazuar në regjistrat e Esnafit (Odës Zejtare të Rrethit të Gjilanit), gjatë periudhës mes dy luftërave botërore numri i dyqaneve u rrit në 10 dyqane në Gjilan (5 shqiptare dhe 5 serbe), si dhe një dyqan në Viti.

Mjeshtërit e njohur të kësaj kohe ishin:

Sherif Muharremi, Rexhep Mehmeti, Ejup Jonuzi, Abedin Ahmeti dhe Ymer Salihu, Filip Jovanoviq, Todor Filipoviq, Stevan Jovanoviq, Borisllav J. Petroviq dhe Stojan Kostiq.

Lulëzimi në Qendrën Zejtare (nën xhaminë e madhe)

​Pas Luftës së Dytë Botërore, kjo zeje shënoi kulmin e saj. Në regjistrat e periudhës 1945–1963 figurojnë 19 dyqane zejtare teneqepunuese, shumica prej të cilave ishin të vendosura në Qendrën Zejtare, saktësisht nën Xhaminë e Madhe.

Pjesa më e madhe e mjeshtërve shqiptarë që i dhanë emër këtij zanati ishin:

Ibrahim Rexhepi, Qamil S. Shefkiu, Enver N. Selmani, Mehmet R. Mehmeti-Doda, Rexhep Mehmeti, Vehbi Mehmeti (i cili për një kohë punoi bashkë me Farush Okllapin), Vehbi Mahmuti-Syvrigjani, Vehbi R. Selimi-Poneshi, Sadedin Shehu, Hasan M. Dauti, Ibrahim R. Mehmeti, Osmon H. Sylejmani, Abdylaziz Jakupi, Nexhat Pajaziti, Shefik Salihu-Selmani, Shefik Dauti, Shaban Biqku, Rahim Ismajli, Nuhi Selmani, Abdyrrahman Sylejmani dhe Musa Hajrullahi (i biri i M. Idrisit).

​Po ashtu, në Qendrën Zejtare punonin edhe mjeshtërit serbë si Sllobodan Apostoloviq, Vojisllav S. Tomiq dhe K. Periq, ndërsa në rrugët e tjera të qytetit ushtronin veprimtarinë edhe Borisllav J. Petroviq, Dragolub Zh. Serafimoviq, Boban Bushatoviq, Todor Gjinqa dhe Stanko Svilanoviq.

Shpërngulja drejt Turqisë dhe rënia e numrit të dyqaneve

​Sipas të dhënave të Odës Zejtare të Kosovës, në vitin 1972 në Gjilan kishin mbetur 12 dyqane teneqepunuese.

Kjo rënie e numrit nuk erdhi si pasojë e humbjes së interesit apo rënies së produktivitetit, siç ndodhi me disa zeje të tjera, por ishte pasojë e shpërnguljes së 7 familjeve të këtyre zejtarëve për në Turqi.

SHËNIM PËR LEXUESIT:

Për të mësuar më shumë rreth historisë, zhvillimit dhe protagonistëve të kësaj zeje, mund të konsultoni librin “Zejtaria e Gjilanit”.

Shpërndaj me të tjerët