Përmes një shkrimi dërguar nga Ismet Sylejmani, bashkëfshatar i Ramiz Cërnicës dhe ish-zëdhënës i UÇK-së, Zona Operative e Karadakut , sjellim fjalën e plotë të etnologut e veprimtarit Kadri Halimi.
Ky dokument historik ndriçon jetën, veprimtarinë dhe qëndresën kombëtare të xhaxhait të tij, tribunut popullor Ramiz Cernica.
Përmes kësaj dëshme autentike, etnologu dhe veprimtari Kadri Halimi sjell një rrëfim prekës e plot detaje historike për xhaxhain e tij, duke ndriçuar jo vetëm profilin njerëzor të Cernicës, por edhe përpjekjet e tij dramatike për të mbrojtur shqiptarët e Anamoravës në periudhat më të vështira të shekullit XX.
Të dashur bashkëfshatarë,
Motra dhe vëllezër,
Ndiej kënaqësi që m’u dha rasti të flas në këtë tubim për tribunin popullor Ramiz Cernica.
Ky ishte edhe obligim imi jo vetëm pse e kam pasur xhaxha të dashur e të çmuar, por edhe ngase ia kam borxh meqë ai është kujdesur për mua, për shkollimin tim. E kam obligim të flas për të ngase ai me veprat dhe veprimet e veta patriotike u shqua dhe nami i tij doli jashtë suazave familjare, jashtë sinorit të Krahinës së Anamoravës dhe përfshiu gjithë Kosovën e më gjerë.
Të flasësh për Ramiz Cernicën është bukur vështirë ngase po droj se mos po ia hamë hakun. Duhet të përpiqemi të themi të vërtetën për të aq sa dimë, sa mbajmë në mend, sa na kujtohet jeta dhe vepra e tij. Duket se ne të moshuarit nuk kemi qenë të kujdesshëm e t’i ndryjmë në memorien tonë momentet kyçe të ndritshme të jetës së këtij tribuni e lëre më që as na ka shkuar mendja të mbajmë ndonjë shënim a ditar. Në vazhdim po paraqes disa momente kryesore që flasin për madhështinë e këtij biri popullor që e kemi pasur edhe bashkëfshatar.
Sikurse dihet, Ramiz Cernica me vota, domethënë me vullnetin e popullit u zgjodh kryetar komune në Partesh. Në këtë post qëndroi dy e më tepër mandate. Në këtë post qëndroi edhe katër vite gjatë Luftës së Dytë Botërore. Veprimtaria e tij në periudhën e paraluftës ishte voluminoze dhe e llojllojshme. Si patriot jetën dhe veprën e vet ia kushtoi popullit të vet nga i cili nuk u nda kurrë.
Fushëveprimtaria e tij në atë kohë ishte luftimi kundër reformës agrare, kundër marrjes së tokave të punueshme shqiptarëve. Për këtë shkak ka qenë edhe i burgosur nga pushteti i Karagjorgjeviqëve.
Ramiz Cernica ishte njeri i autoritetshëm. Çdo grindje a konflikt në mes njerëzve e zgjidhte në mënyrë të drejtë e të urtë. Fjala e tij dëgjohej e nuk merrej nëpër këmbë. Ai si njeri i urtë njerëzve u jepte këshilla se si duhet vepruar, nëpër oda fjala e tij dëgjohej me vëmendje. Ishte edhe arsimdashës i flaktë. Luftonte për shkollimin edhe të femrave. Një element tjetër i veprës së tij ishte përpjekja dhe lufta kundër shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi.
Edhe gjatë luftës mbajti të njëjtin qëndrim dhe vazhdoi punën si më përpara në të mirë të popullit. Gjatë luftës ka bashkëpunuar me patriotë të rinj të majtë e të djathtë, por në atë kohë ka pasur fort pak intelektualë shqiptarë. I kundërshtonte ekstremistët, qofshin ata të djathtë apo të majtë, bile edhe ata që ishin zyrtarë të lartë në pushtet, si për shembull prefektin e Prishtinës Tahir Kolgjini.
Ramiz Cernica gjatë Luftës së Dytë Botërore ka ndihmuar Luftën apo Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Bashkëpunonte me patriotin e shquar Rifat Berisha. Ka shpëtuar Aradhën Partizane që ishte rrethuar në malet e Livoqit të Epërm. Megjithatë, ishte luftëtar për ruajtjen e Kosovës. Ai mori pjesë, me sa di unë, si komandues i vullnetarëve në Luftën e Preshevës. I pengoi çetniko-partizanët të depërtojnë në Anamoravë, alias në Kosovë. Mbaj në mend se njëri nga bashkëluftëtarët e tij në këtë luftë u plagos rëndë. Ky ishte Jakup Budrika. Ramizi nuk lejoi që në këtë luftë të bëhej ndonjë masakër. Në ditët e para pas kapitullimit të Italisë fashiste, ai diti të kanalizojë urrejtjen kundër pushtuesit dhe ia doli të mos ndodhë gjakderdhje.
Si njeri demokrat dhe human që ishte Ramiz Cernica në territorin e komunës së tij i ka mbrojtur serbët. Luftonte kundër bandave kriminale që aty-këtu bënin zullum. Në komunën e tij nuk janë bërë krime. Këtë gjë e vërtetuan vetë serbët të cilët pas luftës, kur Ramizi po gjykohej, dëshmuan për krimet që i kishin bërë njerëzit e tjerë, dëshmonin para gjyqit se si ai i kishte mbrojtur.
Po përmend edhe një moment karakteristik. Vllado Popoviqi, i cili është përgjegjës për masakrat që janë bërë në rrethin e Gjilanit menjëherë pas ardhjes së partizano-çetnikëve, diku në vitin 1944 kishte kërkuar të takohet me Ramiz Cernicën me qëllim që ta përfitojë si njeri me autoritet në popull për të propaguar në favor të Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Ky, Ramizi, nuk kishte pranuar një gjë të tillë, por si shenjë se edhe ai ishte kundër pushtuesve ia fali një pushkë e dy bomba dore. Këtë ma ka thënë vetë xhaxhai im Ramizi.
Pas luftës, si demokrat që ishte dhe si ndihmues i LNÇ-së u zgjodh anëtar i Këshillit Popullor të Rrethit të Gjilanit. Mirëpo, partizanët, apo më mirë të thëmë çetnikët filluan me të madhe terrorin ndaj shqiptarëve. U pushkatuan shumë njerëz të pafajshëm që kurrë nuk ishin marrë me politikë. Ky ishte një lloj pastrimi etnik i atëhershëm. Thuhet se në rrethin e Gjilanit janë pushkatuar nga pushteti monist rreth 8.000 veta, shqiptarë. Këto sjellje barbare Ramizi i gjykonte dhe i luftonte me sa kishte mundësi.
Andaj, me sa di unë, e burgosën nja dy herë, por me intervenimin e dikujt, ndoshta të Rifat Berishës apo të Fadil Hoxhës për pak ditë lirohej nga burgu. Flitej se lirimin e tij si njeri me autoritet të madh në popull e ishte kërkuar edhe Milladin Popoviqi, sekretar i atëhershëm krahinor i Partisë.
Ramizi për një kohë ka qenë edhe kryetar i Komitetit shqiptar për rrethin e Gjilanit. Lidhur me këto masakra Ramiz Cernica së bashku me mua e takuam Spasoje Gjakoviqin, përgjegjës i OZNA-së krahinore. Prej tij kërkuam që të ndërpriten këto vrasje. Në atë rast unë shtrova edhe kërkesën që shovinisti Sava Dimiq i Filimonit që ishte kryetar i komunës së Parteshit të hiqet nga ai post pasi po sillte keq dhe po plaçkiste popullin. Në të vërtetë Sava u hoq dhe u burgos.
Në verën e vitit 1945, më sa di unë në korrik, Ramizin e caktuan delegat për Mbledhjen kosovare të Prizrenit ku po vendosej fati i Kosovës. (Rrethi i Gjilanit dërgoi katër delegatë e këta ishin: Ramiz Cernica, Mehmet Krileva, Adem Stançiqi dhe Sinan Hasani). Për qëndrimin dhe diskutimin e Ramizit në këtë kinse Asamble dihet fare mirë. I vetmi ai pati guxim të shprehë vullnetin dhe dëshirën e popullit që Kosova t’i bashkohet mëmës Shqipëri.
Pas këtij diskutimi të flaktë u arrestua dhe gjykata e Gjilanit e dënoi me 20 vjet burgim të rëndë. Prokurori shtetëror Gorolub Popoviq kërkonte dënim me vdekje. Fjala e Ramizit në Tubimin e Prizrenit, ku pa e pyetur popullin Kosovën iu bashkëngjitën Serbisë, ishte pika kulminante e patriotizmit të tij të zjarrtë. Kjo ngjarje ia rriti dhe përhapi famën Ramiz Cernicës në mbarë Kosovën, madje edhe në Shqipëri. Po edhe djali i tij Raif Halimi, që ishte nja 17-18 pranvera, po ashtu u dënua me 20 vjet burgim të rëndë ngase me batalionin e vet kaloi në anën e luftëtarit të Drenicës Shaban Polluzha.
Ramizi doli prej burgut më 1956, mu në vitin kur po zhvillohej aksioni famëkeq i mbledhjes së armëve nga shqiptarët. Mirëpo, me zhdërvjelltësinë dhe autoritetin e vet Ramizi e shpëtoi prej torturave fshatin e vet dhe fshatrat përreth.
Në mars të vitit 1961 Ramiz Cërnicën përsëri e burgosin dhe e dënojnë me 18 muaj burgim ngase dinte për organizatën ilegale, e cila në program kishte luftën kundër titoizmit dhe luftën për bashkimin e trojeve shqiptare në Jugosllavi me Shqipërinë, organizatë kjo të cilën e udhëhiqnin Ali Aliu nga Presheva dhe dy nipat e Ramizit: Ramadan e Kadri Halimi në nivelin krahinor. U zbuluan dhe u dënuan rreth 50 pjesëtarë të kësaj organizate. Këtë e përmenda vetëm për të treguar se si kishte reaguar Ramizi me rastin e arrestimit. Sikundër tregon Mehdi Halimi, njëri nga policët e arrestimit i paska thënë: „Ja se çka të bënë nipat tu!“ Mirëpo, ky me krenari ua kishte kthyer: „Çka janë nipat e mi, jam edhe unë“.
Më vonë Ramizi me familjen e vet u shpërngul në Katund të Ri të Ferizajit. Por edhe atje populli i Anamoravës dhe i viseve të tjera e vizitonin shpesh dhe kërkonin prej tij këshilla rreth çështjeve të ndryshme. Edhe unë e kam vizituar deri në vdekjen e tij. Ramiz Cërnica vdiq në vitin 1979.
Me rastin e varrimit të tij mbajta fjalën e përmortshme, me çka iu ekspozova rrezikut të burgosjes. Në Komitetin Krahinor të LK iniciator dhe propozues i burgosjes time ishte Dushko Ristiqi. Kam dëgjuar se Fadil Hoxha nuk paska lejuar të burgosem duke thënë se ai ishte një ceremonial familjar.
Më mbetet të thëm edhe disa fjalë përkitazi me marrëdhëniet e mia me xhaxhain tim. Këtu dëshiroj të jem sa më objektiv dhe të thëm atë se si e kam parë Ramiz Cërnicën, ndaj të cilit kam pasur një respekt të posaçëm.
Ramizi është kujdesur për shkollimin tim. Shpesh më ka vizituar në shkollë në Shkup. Me atë rast më jepte edhe para. Gëzohesha fort. Mbaj mend pesëbankëshin e argjendët apo pesëdhjetë dinarë të Jugosllavisë së vjetër. Rroga që merrte si kryetar ishte 900 dinarë. Kur vija për pushime apo festa në shtëpi udhëtoja me tren prej Shkupit deri në Ferizaj ku më priste kali dhe qerrja e Ramizit me gjithë karrocierin. E dinte se i takoj Lëvizjes Antifashiste majtiste. Kur nga policia e okupatorit u burgosa, me intervenimin e tij më liruan pas 3 muajve. Më këshillonte të ruhem e të punoj me mençuri dhe të mos i tradhtoj interesat kombëtare. Unë iu përmbajta këshillave të tij.
Ramiz Cërnicën e stolisnin virtyte të larta njerëzore. Ishte i zoti, madje edhe në punët fizike. Ishte mjeshtër apo teknik i motorëve. Ishte njeri human, i drejtë, jo lakmues i korrupsionit. Pikëpamjet e tij ishin të qarta. Në radhë të parë në zemër kishte popullin e vet, patriotizmin dhe sidomos bashkimin kombëtar. Ishte një nacionalist i moderuar demokrat, por kurrë nuk ka manifestuar ndonjë shenjë të shovinizmit. E ka dashur popullin e vet dhe nuk e ka urryer ndonjë popull tjetër. Ndonëse ka mundur të largohet e të shkojë jashtë vendit, atë nuk e ka bërë duke thënë se do të vuajë bashkë me popullin.
Ramiz Cërnica këtë orientim politik, këtë edukatë në frymën e patriotizmit dhe të atdhedashurisë e mori brenda familjes. E mori prej babait të tij, Mulla Halimit, i cili më 1910 luftoi trimërisht kundër osmanlinjve, kundër Shefqet Turgut Pashës në Grykën e Kaçanikut e të Drenogllavës ku qe plagosur, e vonë kapur prej turqve e dërguar në tetë vjet burgim. Ishte pra luftëtar i Idriz Seferit. Pra s’është çudi, por është krejt e logjikshme që biri i tij Ramizi të bëhet jo vetëm kryepar i popullit por edhe vigan në fushëbetejën për liri e bashkim kombëtar. Pale nipërit, ndër të edhe unë, deri ku kemi arritur.
Ju falemnderit për kujdesin tuaj.
Kadri Halimi
Më 9 maj 1993, Prishtinë
