Drita e ka nisur me fitore aventurën e re në Albi Mall Superligë, duke mposhtur Llapin me rezultat të thellë 5:3, në një ndeshje spektakolare, plot aksione të bukura, ritëm të lartë dhe me plot tetë gola të shënuar.
Sfida u zhbllokua në minutën e 28-të, kur Blerim Krasniqi shënoi bukur me kokë për 1:0.
Pa kaluar shumë kohë, Igball Jashari shfrytëzoi më së miri një pakujdesi të mbrojtësit llapjan Idrizi dhe me një goditje fantastike në rrotullim dyfishoi epërsinë në 2:0.
Megjithatë, mysafirët nga Podujeva nuk u dorëzuan. Në minutën e 35-të, Fidan Ademi realizoi një parabollë të bukur mbi portierin Maloku për 2:1, ndërsa në minutat shtesë të pjesës së parë (45+2′), Elvin Gashiani barazoi shifrat në 2:2 me një goditje nga afërsia.
Pjesa e dytë nisi sërish me dominimin e gjilanasve. Kapiteni Besnik Krasniqi me kokë riktheu avazhin e Dritës në 3:2 që në minutën e 47-të.
Dhjetë minuta më vonë, Nguena kaloi edhe portierin e Llapit, Bllaca, për të çuar shifrat në 4:2, ndërsa Hajdin Salihu në minutën e 72-të realizoi golin e pestë për vendasit (5:2).
Krejt çka arritën të bënin mysafirët deri në fund ishte goli i nderit nga Gentrit Jaha në minutën e 83-të, i cili vulosi rezultatin përfundimtar të këtij dueli spektakolar në 5:3.
