HISTORI/ Si u bënë opingarët e Gjilanit emri më i kërkuar i tregjeve të Anamoravës

Zeja e opingarëve paraqet një nga traditat më të vjetra dhe më me interes në historinë zejtare të Gjilanit.

Kjo veprimtari, që për nga natyra e punës ishte mjaft e ngjashme me atë të këpucëtarëve, në fillimet e saj mbështetej kryesisht në përpunimin e lëkurës së tharë të lopës apo buallit, të cilën opingarët e blinin nga tabakët lokalë.

Më vonë, me kalimin e kohës dhe ndryshimin e nevojave, lëkurën e zëvendësoi goma, ndërsa mjeshtrit filluan t’u vëreshin rripa e dekorime opingave, si dhe të merreshin me meremetimin e këpucëve.

​Në gjysmën e parë të shekullit XX, në rrugët e Gjilanit numëroheshin rreth 6 deri në 7 punëtori opingarësh, ndërsa të dhënat e Odës Zejtare të Rrethit për periudhën 1921-1939 shënojnë katër mjeshtër me leje zyrtare.

Ndër emrat më të njohur që ushtruan këtë zanat ndër vite ishin Ramiz Basha, Shukri Salihu (i cili më pas punoi edhe si këpucëtar), Hysen Osmani, Haki Abdullahu, Vasa Aritonoviq, Saqip Sahiti, Arsenije Cvetkoviq, Omil Tutiq, Manasije J. Ristiq dhe Izeir Boshiq.

​Përkushtimin ndaj këtij zanati e vazhduan edhe brezat e rinj, si djemtë e Ramiz Bashës, Abdylkaderi dhe Muharremi, si dhe djali i Hakiut, Ganiu.

Mjeshtrit gjilanas prodhonin opinga, çizme, sandale e “jadranka” prej lëkure, plastike e gome.

Në fillim çdo gjë bëhej me dorë, me çekiç, gërshërë, brisqet speciale e kallëpe, e më vonë me makineri të posaçme për prerjen e ngjitjen e materialit.

​Prodhimet e tyre nuk mbeteshin vetëm brenda Gjilanit; ato shiteshin në ditët e pazarit: të enjten në Viti, të premten në Kamenicë dhe të shtunën në Gjilan.

Për transportin e mallit me karroca kuajsh kujdeseshin Jahja Bujiqi dhe Qamil beg Gjinolli, ndërsa shitjet më të mëdha bëheshin gjatë panaireve traditional të majit dhe korrikut.

​Me kalimin e viteve, opingarët u shndërruan edhe në tregtarë të njohur të opingave të gomës dhe çizmeve të zeza, ku dyqanet e Ramiz Bashës, Haki Abdullahut, Hysen Osmanit e Savës ishin më të frekuentuarat.

Ndër ta shquhej veçanërisht Ramiz Basha – një burrë trupshkurtër, me tas-fes të zi e mustaqe të bardha, i njohur jo vetëm si mjeshtër me autoritet, por edhe si një shakaxhi i madh i qytetit.

(Më gjerësisht rreth kësaj zeje mund të lexoni në librin “Zejtaria e Gjilanit”)

Shpërndaj me të tjerët