INFRASTRUKTURË/ Spitali i Gjilanit nis rregullimin e parkingut dhe zgjerimin e hyrjes kryesore

Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ka nisur realizimin e projektit për rregullimin e parkingut dhe zgjerimin e hyrjes kryesore të objektit.

Sipas menaxhmentit të spitalit, investimi synon përmirësimin e infrastrukturës dhe lehtësimin e qasjes për pacientët, vizitorët, autoambulancat dhe stafin shëndetësor.

Projekti parasheh shtimin e hapësirave për parkim, qarkullim më të sigurt të automjeteve dhe këmbësorëve, si dhe funksionalizimin më efikas të hyrje-daljeve në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.

Menaxhmenti i spitalit ka bërë të ditur se përmirësimi i infrastrukturës është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për krijimin e kushteve më të mira dhe ofrimin e shërbimeve më efikase e më të sigurta për pacientët, familjarët e tyre dhe personelin shëndetësor.

Gjatë zhvillimit të punimeve mund të ketë ndryshime të përkohshme në qarkullim dhe në shfrytëzimin e hapësirave të parkimit.

Për këtë arsye, qytetarët janë ftuar të respektojnë sinjalistikën e vendosur dhe udhëzimet e personelit të spitalit, në mënyrë që punimet të zhvillohen sipas planit.

Shpërndaj me të tjerët