LOKALE/ Në Përlepnicë vendoset baneri “Kosova po pret” për krerët e UÇK-së

Vala e mbështetjes për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vazhdon të zgjerohet në të gjithë vendin.

Së fundmi, edhe në fshatin Përlepnicë të Komunës së Gjilanit është vendosur një baner madhështor në shenjë solidarizimi dhe në pritje të lirimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

​Me mesazhin e qartë dhe prekës “KOSOVA PO PRET!”, baneri i vendosur në një nga pikat më të dukshme të fshatit përcjell porosinë e qytetarëve për drejtësi dhe për kthimin e udhëheqësve të luftës çlirimtare.

​Ky aksion simbolik në Përlepnicë i bashkohet nismave të ngjashme që po zhvillohen në shumë qytete e fshatra të Kosovës, ku përmes mesazheve vizuale po shprehet besimi i palëkundur në pafajësinë e krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

​Qytetarët dhe organizatorët e kësaj nisme shprehen se UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë e çlirimtare, ndërsa kthimi i udhëheqësve të saj pritet me padurim nga e gjithë Kosova.

Shpërndaj me të tjerët