Gjilan, 15 tetor 2026 – Shqetësimi i ngritur ditë më parë nga asambleisti Fadil Ademi lidhur me dëmtimin e trotuarit në rrugën “Isa Boletini” ka marrë epilog pozitiv.
Pas punimeve të kryera së fundmi në rrjetin e ujësjellësit nga KRU “Hidromorava” SH.A., trotuari i shtruar me kubëza nuk ishte kthyer në gjendjen e tij të mëparshme, gjë që kishte vështirësuar lëvizjen e lirë të këmbësorëve.
Pas kërkesës zyrtare të drejtuar nga asambleisti Ademi pranë kompanisë rajonale të ujësjellësit, operatori ekonomik ka dalë sot në terren për të filluar punimet për sanimin dhe rregullimin e plotë të trotuarit.
Në një prononcim lidhur me këtë çështje, Ademi e ka mirëpritur reagimin dhe fillimin e punimeve, ndërsa ka nështvizuar rëndësinë e përgjegjësisë pas çdo ndërhyrjeje në hapësirat publike.
Është mirë që ky shqetësim po merr zgjidhje. Shpresoj që punimet të përfundojnë sa më shpejt dhe trotuari të rregullohet siç duhet. Kudo që punohet, duhet të kemi kujdes që pas përfundimit të punimeve, gjithçka të kthehet në gjendjen e mëparshme,” është shprehur ai.
Asambleisti po ashtu konfirmoi se do të vazhdojë të jetë zëri i qytetarëve për çdo shqetësim ose problematikë që lidhet me lagjet dhe rrugët e qytetit të Gjilanit, deri në gjetjen e zgjidhjeve konkrete.
