MASA PARANDALUESE/ Gjilan: Pastrohen lumenjtë dhe hapen rrugët për raste emergjente

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim Enver Shabani ka zhvilluar një takim pune me Drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike Kushtrim Ibrahimi, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional për adresimin e çështjeve që lidhen me sigurinë publike, mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore dhe përmirësimin e infrastrukturës së nevojshme për ndërhyrje emergjente.

Gjatë takimit është diskutuar në detaje për gjendjen aktuale të lumenjve, përrenjve dhe kanaleve kulluese në disa zona të Komunës së Gjilanit, ku është vlerësuar e nevojshme ndërmarrja e veprimeve konkrete për pastrimin dhe mirëmbajtjen e tyre.

U theksua se grumbullimi i mbeturinave, dhe materialeve të tjera në shtretërit e lumenjve paraqet rrezik potencial për bllokimin e rrjedhës së ujit dhe shkaktimin e vërshimeve gjatë periudhave me reshje intensive.

Një temë e rëndësishme e diskutimit ishte edhe gjendja e disa rrugëve dhe korridoreve të qasjes në zonat rurale dhe kodrinore, të cilat aktualisht janë të vështira ose të pamundura për t’u kaluar nga automjetet e Njësisë së Zjarrfikjes dhe Shpëtimit.

Po ashtu u vlerësua se hapja, zgjerimi dhe mirëmbajtja e këtyre rrugëve është e domosdoshme për të mundësuar reagim të shpejtë dhe efikas në raste zjarresh, aksidentesh, fatkeqësish natyrore dhe emergjencash të tjera që mund të rrezikojnë jetën dhe pronën e qytetarëve.

Gjatë takimit është diskutuar për identifikimin e lokacioneve prioritare ku nevojitet ndërhyrje urgjente, duke marrë parasysh kërkesat e banorëve dhe vlerësimet e ekipeve profesionale në terren.

Të dy drejtorët u pajtuan se përmirësimi i qasjes në këto zona do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë së qytetarëve, lehtësimin e lëvizjes së banorëve dhe krijimin e kushteve më të mira për ofrimin e shërbimeve emergjente.

Në fund të takimit, u dakordua që drejtoritë përkatëse të intensifikojnë bashkëpunimin dhe koordinimin institucional, me qëllim planifikimin dhe realizimin e aktiviteteve në terren për pastrimin e lumenjve dhe hapjen e rrugëve prioritare, duke kontribuuar në rritjen e gatishmërisë dhe sigurisë së përgjithshme në Komunën e Gjilanit

 

Shpërndaj me të tjerët