SPORT/Matematika e rekordeve: 17,450 goditje dhe 3,476 shkallë për të pushtuar Burj Khalifa më 28 Nëntor!

Kur matematika bëhet bashkëudhëtare e pasionit sportiv, kufijtë e mundshmes zhduken.

Në një datë të shënuar për mbarë kombin shqiptar, më 28 Nëntor 2026, pikërisht në orën 10:00, kampioni i mirënjohur i zhonglimit, Agim Agushi, do të ndërmarrë sfidën më të madhe dhe më surreale të karrierës së tij: pushtimin e rrokaqiellit më të lartë në botë, Burj Khalifa, duke mbajtur topin me kokë hap pas hapi.

​Agushi, i cili krahas rekordeve të bujshme është edhe profesor i matematikës në gjimnazin e Vitisë, i është qasur kësaj sfide përmes një analize të rreptë shkencore.

Sipas statistikave matematikore të përfituara nga analiza e videove të ushtrimeve, sfida ka parametra mbresëlënës: Burj Khalifa ngrihet në një lartësi prej 828 metrash, e shtrirë në 163 kate, duke përfshirë edhe nënkatet strategjike B1, C dhe G që duhen kaluar përballë pengesave të ndryshme arkitekturore.

​Sipas parashikimit të detajuar, ky marshim titanik pritet të zgjasë 2 orë e 10 minuta.

Për t’ia dalë mbanë, llogaritjet tregojnë se numri i goditjeve të topit me kokë gjatë gjithë kësaj kohe do të arrijë në shifrën marramendëse prej 17,450 goditjesh, ndërsa kampioni do të duhet të ngjisë gjithsej 3,476 shkallë.

​Zgjedhja e datës nuk është e rastësishme. Për profesorin nga Vitisë, flamuri kuqezi dhe 28 Nëntori janë motivi më i fortë për t’i dhënë këtij rekordi botëror përmasa kombëtare.

Në këtë ditë të shënuar të Pavarësisë, sytë e sportdashësve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë do të jenë të drejtuar nga Dubai, aty ku lartësia e qiellgërvishtësit do të matej jo vetëm me metra, por me vullnetin e pathyeshëm njerëzor.

​Përgatitjet intensive tashmë kanë hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa sfida e 28 Nëntorit premton të shkruajë histori të re, duke ngritur lart jo vetëm topin e zhonglimit, por edhe emrin e shqiptarëve në majë të botës./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët