Banorët e rrugës së Kumanovës në Gjilan po i japin fund pritjes shumëvjeçare për një furnizim stabil me energji elektrike.
Këshilltari komunal nga radhët e LVV-së, Fadil Ademi, i njohur për angazhimin e tij të vazhdueshëm në terren, ka vizituar sot punimet që po kryhen për vendosjen e trafostacionit të ri me kapacitet prej 630 kVA.
Ky projekt vjen si përgjigje ndaj problemeve serioze me tensionin e ulët, me të cilat janë ballafaquar familjet e kësaj zone për vite me radhë.
Ademi, i cili ka përcjellë këtë kërkesë të qytetarëve me prioritet, u shpreh se ky investim prek drejtpërdrejt mirëqenien e banorëve.
“Ky nuk është vetëm një investim në rrjetin elektrik, është një investim në jetën e përditshme të qytetarëve, në sigurinë dhe mirëqenien e familjeve tona,” deklaroi Ademi gjatë vizitës në terren.
Ai falënderoi Komunën e Gjilanit për ndarjen e lokacionit si dhe ekipet e KEDS-it që po punojnë për finalizimin e projektit.
Si përfaqësues i kësaj zone, Ademi u zotua se do të vazhdojë të mbetet zëri i qytetarëve në Kuvendin Komunal, duke u siguruar që çdo nevojë e tyre të trajtohet me seriozitet.
Vendosja e trafostacionit të ri pritet të stabilizojë plotësisht furnizimin me energji elektrike për të gjithë lagjen, duke evituar dëmtimet e pajisjeve shtëpiake që shkaktoheshin nga luhatjet e tensionit.
