BASKETBOLL/ Drita hedh hapin e madh drejt Superligës

Skuadra e KB Dritës është vetëm një hap larg rikthimit të madh në elitën e basketbollit kosovar.

Gjilanasit kanë shënuar një fitore tejet të rëndësishme si mysafirë ndaj Proton Cable Prizrenit, me rezultat 71:85, në ndeshjen e parë të finales së “Play-off”-it në Ligën e Parë.

Drita e nisi takimin me një ritëm të lartë, duke treguar që në fillim synimin e qartë për fitore.

Falë një organizimi të shkëlqyer në fazën e sulmit dhe një mbrojtjeje të ngjeshur, basketbollistët gjilanas arritën të krijonin një epërsi të sigurt që në pjesën e parë.

Në vazhdim të lojës, skuadra e drejtuar me mjaft pjekuri menaxhoi avantazhin, duke mos i lejuar prizrenasit të rrezikonin fitoren.

Kjo performancë bindëse dëshmon formën e lartë të ekipit dhe gatishmërinë për t’u rikthyer aty ku e kanë vendin, në Superligën e Kosovës.

Ndeshja e radhës do të jetë vendimtare, ku Drita në ndeshjen khtyese  do të kërkojë të vulosë këtë sezon të suksesshëm dhe të festojë ngjitjen në elitë.

 

Shpërndaj me të tjerët