Rreth 10 mijë litra ujë falas për besimtarët në Xhaminë e Dardanisë 2 gjatë Ramazanit
Xhamia në Dardania 2 në Gjilan është një nga vendet me interesimin më të madh të besimtarëve gjatë muajit të Ramazanit për faljen e namazit të teravive, pasi aty gjatë këtyre netëve bëhet edhe hatme e Kuranit.
Për shkak të numrit të madh të xhematit, Këshilli i Xhamisë, përkatësisht grupi i të rinjve, kujdeset që gjatë këtyre netëve të ketë ujë të mjaftueshëm për besimtarët që marrin pjesë në falje.
Sipas një statistike të deritanishme, janë shpërndarë rreth 10 mijë litra ujë falas, falë kontributit të bamirësve të ndryshëm.
Bazuar në ritmin aktual të shpërndarjes, pritet që deri në fund të muajit të Ramazanit kjo shifër të kalojë mbi 15 mijë litra ujë të dhuruar për xhematin.
Në traditën islame theksohet se:
“Sadakaja më e mirë është dhënia e ujit.”
Ky organizim dhe kontribut i bamirësve po e bën edhe më të veçantë atmosferën e Ramazanit në Xhaminë e Dardanisë 2, duke dëshmuar solidaritetin dhe bujarinë ndaj xhematit.

